Kryesore Dënimi i Tahirit, Meta zbulon një prapaskenë me Ramën dhe ish-ministrin e...

Dënimi i Tahirit, Meta zbulon një prapaskenë me Ramën dhe ish-ministrin e Brendshëm

Presidenti Ilir Meta ka reaguar për herë të parë për dënimin me burg të ish ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Meta deklaroi se kjo është pjesë e drejtësisë me regji duke theksuar se ai është përgjegjës për kanabizimin e vendit, por kryepërgjegjës cilësoi kreun e qeverisë.

Meta në TV 1 Channel tha se i ka thënë Ramës, por edhe vetë Tahirit se nuk është për ministër të Brendshëm duke qenë se nuk kishte eksperiencën dhe ishte shumë i politizuar çka do sillte sipas tij keqpërdorim të Tahirit në atë funksion.

“Burgosja e Saimir Tahirit është pjesë e drejtësisë me regji. Saimir Tahiri nuk është arkitekti i kanabizimit në Shqipëri. Ai ka qenë përgjegjës, por kryepërgjegjësi është kryeministri i cili e përdori për të fshehur përgjegjësitë e veta. I kam thënë Ramës që emërimi i tij si ministër ishte një zgjidhje e gabuar. I kam thënë dhe vetë Tahirit, nuk mund të jesh ministër sepse nuk ke eksperiencë dhe je shumë i politizuar, për më tepër do të keqpërdorin në atë funksion”, tha Meta.

Meta tha se kur Rama u vu përballë kërkesës për të hequr Tahirin nga posti kur ky i fundit u gjend përballë akuzave e ka ftuar atë dhe i ka thënë se largimin po e bën për t’i plotësuar atij kërkesësn që Tahiri të mos jetë ministër i Brendshëm.

“Kur Rama ka dashur ta heqë, ose i është kërkuar ta heqë. Më ka thirrur mua dhe më ka thënë se plotësova kërkesën tënde për të hequr Tahirin. I kam thënë ti do ta heqësh tani dhe t’i thuash edhe atij që më tha Ilir Meta. Unë të kam thënë mos e vër. Nuk është ai arkitekti. Ai është përgjegjës, por kryepërgjegjësi për të fshehur përgjegjësitë e veta është ai”, tha Meta.