Ambasadori Luigi Soreca u pyet këtë të hënë nga gazetarët në lidhje me dënimin e Saimir Tahirit.
Ai nuk preferoi të komentonte rastin, po tha se shikohet një pavarësi më e madhe e gjyqësorit dhe ky është një lajm i mirë për konsolidimin e sistemit të drejtësisë.
Megjithatë Soreca tha se presin më shumë nga institucionet që janë përfshirë në sistemin e drejtësisë.
Para pak ditësh gjykata dënoi ish-ministrin e Brendshëm zoti Tahiri, a mendoni se dënimi i një ish-funksionari të lartë në vend është argument për të thënë që Reforma në Drejtësi ka nisur të funksionojë apo është e pamjaftueshme?
Luigi Soreca: Nuk e kam zakon të bëj komente për procedura në vijimësi apo për çështje specifike. Por po të shihen disa nga vendimet e fundit të gjykatave dhe prokurorisë atëherë shihet edhe një pavarësi më e madhe e gjyqësorit. Ky është lajm i mirë për konsolidimin e Sistemit të Drejtësisë.
A jeni të kënaqur me SPAK-un?
Luigi Soreca: Shikojmë sinjale të mira nga puna e gjyqtarëve dhe e prokurorëve. A mjafton kjo? Jo ne presim edhe më shumë nga të gjitha ato institucione që janë të përfshira në sistemin e drejtësisë.
Sa i përket ish-kryeministrit Berisha duket se nuk ka shpallur asnjë shenjë tërheqjeje edhe pse është shpallur non grata nga SHBA, por duket se ka sërish aktivitet politik, si e komenton?
Luigi Soreca: Më lejoni të mos komentoj për zhvillimet e brendshme të partisë. Ne kemi ndjekur dhe vijojmë të ndjekim parimin e mosndërhyrjes. Do të ketë edhe zgjedhje në të ardhmen. Ne vazhdojmë punën tonë duke biseduar me të gjitha forcat politike në vend për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me të ardhmen e vendit e në veçanti edhe për zgjatjen e Vettingut.