Gjykata e Tiranës ka dënuar me burg tre femra të akuzuara për një vepër penale jo të zakontë në Shqipëri, atë të “pornografisë”.
Ato janë fajësuar për publikimin e fotove intime të një minoreje në web-site +18 në internet.
Hetimi ndaj të pandehurave me iniciale E. S., B. S. dhe M. A. të moshës 28, 31 dhe 41 vjeç, një prej të cilave nëna e të miturës, nisi në mars të vitit 2018.
Ato kishin hapur profile në faqe me përmbajtje pornografike në internet, ku zhvillonin video-biseda erotike me meshkuj nga gjithë bota, kundrejt pagesave që kryheshin përmes kartave të kreditit. Hetuesit sekuestruan kompjuterët e përdorur në këto qendra “chat-line”-sh të nxehta dhe rikuperuan të gjitha fotot dhe videot që ishin fshirë.
Mes materialeve pornografike u vërejtën fotot me natyrë pornografike të së miturës. Në deklarimet e dhëna gjatë hetimit, e ëma e saj, e pandehur në proces, shpjegonte se kishte dijeni për faktin dhe se në disa raste ishte detyruar nga dy të pandehurat e tjera.
Pasi i shpalli fajtore për akuzën e “pornografisë”, gjykata dha dënime nga 3 vjet e 4 muaj në 3 vjet e 8 muaj për to. I njëjti vendim i hoqi përgjegjësinë prindërore nënës së minorenes.