Aktualitet Dënohet ish-anëtari i Gjykatës së Lartë, por i shpëton burgut

Dënohet ish-anëtari i Gjykatës së Lartë, por i shpëton burgut

Gjykata e Posaçme vendosi të dënojë me 6 muaj burg ish-anëtarin e Gjykatës së Lartë, Guxim Zenelaj.

Ish-gjyqtari i Lartë u shpall fajtor për “fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë”.

Por Zenelaj nuk rrezikon burgun, pasi në përfundim gjykata ka vendosur pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burg dhe lënien e tij në Shërbim Prove për një periudhë 1-vjeçare.

Njoftimi i GJKKO

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Gjykimin e çështjes penale që i përket procedimit penal nr. 137/5 i vitit 2021, në ngarkim të pandehurit Guxim Zenelaj, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, parashikuar nga neni 257/a paragrafi i dytë i Kodit Penal”.

Gjykimi i kësaj çështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të zakonshëm.

Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Bib Ndreca, me vendimin Nr. 26, datë 17.03.2025 vendosi:

Deklarimin fajtor të të pandehurit Guxim Zenelaj, për kryerjen e veprës penale të “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim” parashikuar nga neni 257/a paragrafi i dytë i Kodit Penal, dhe dënimin e tij me 6 (gjashtë) muaj burgim.

Bazuar në nenin 59 të Kodit Penal, urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të vendimit me burgim për të pandehurin Guxim Zenelaj, duke u detyruar që të mbajë kontakte me zyrën vendore të Shërbimit të Provës Tiranë. Vënia në provë e të pandehurit për një periudhë kohe prej 1(një) vit, me kusht që gjatë kohës së provës të mos kryejë vepër tjetër penale.

Në zbatim të nenit 61 të Kodit Penal, detyrohet i pandehuri që gjatë kohës së provës: a) T’i përgjigjet thirrjeve dhe kërkesave të Zyrës Vendore të Shërbimit të Provës Tiranë; b) Të marrë pëlqimin në Zyrën Vendore të Shërbimit të Provës Tiranë për ndryshimin e vendbanimit.

Bazuar në nenin 393 të Kodit të Procedurës Penale, shpenzimet e kryera në fazën e hetimit paraprak, në shumën 220,000 (dyqind e njëzet mijë) lekë dhe shpenzimet gjyqësore, sipas formularit bashkangjitur i ngarkohen të pandehurit. 5. Kundër vendimit lejohet ankim nga palët në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 15 ditëve nga e nesërmja e komunikimit të këtij vendimi.