Gjykata e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit ka dënuar me dy vite burg ish-drejtorin e RTSH-së, Thoma Gëllçi.
Megjithatë Gëllçi përfiton nga gjykimi i shkurtuar, duke iu ulur kështu dënimi në 1 vit e 4 muaj.
Me nga 1 vit burg u dënuan dhe Julian Tapia, Ervin Murraj dhe Alban Malaveci. GJKKO për katër shtetasit e lartpërmendur urdhëroi që 5 vite asnjë prej tyre të mos ushtrojë funksione publike.
Avokati mbrojtës i Gëllçit, Dorian Matlija, u shpreh se vendimi i sotëm i gjykatës, kënaq gjyqin popullor që iu bë klientit të tij, por nuk jep drejtësi.
“Kjo është një gjykatë popullore, ku duan të kënaqin njerëzit për konsum publik, është një çështje që mund të vendosë në rrezik zyrtarë të lartë, shteti nuk mund të funksionojë në këtë lloj mënyre. Do të kemi një rrugë të gjatë drejt pafajësisë. Është bërë një presion shumë i madh, që të ketë rezultate. Ka njerëz që kanë interes personal për dënimin e Thoma Gëllçit”, u shpreh Matlija.
Ish-drejtori i RTSH u akuzua për shpërdorim detyre në lidhje me një tender 1 milion dollarë të zhvilluar nga institucioni që ai drejtoi.
Gëllçi bashkë me tre punonjës akuzohen për pabarazi në tenderë dhe abuzim me detyrën në kohë kur Gëllçi ishte në detyrë.
Shkelja bën fjalë për një tender të vitit 2018 me fond prej 86 milionë lekë për blerjen e pajisjeve për kanalin RTSH Agro, ku tre anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Alban Malaveci, Ervin Muraj dhe Julian Tapia akuzohen për shkelje të barazisë në tenderë.
Nga hetimet gjithashtu ka rezultuar se Thoma Gëllçi si ish-drejtori i Përgjithshëm i Radio-Televizionit Shqiptar ka kryer shkelje ligjore në këtë procedurë prokurimi dhe akuzohet për shpërdorim detyre
Gëllçi u arrestua më 8 tetor gjatë një operacioni të SPAK në bashkëpunim me Policinë e Shtetit.