Gjykata e Tiranës ka dënuar me burgim të përjetshëm Dashamir Xhepën, i cili në shkurt të 2019-së vrau te kodrat e Liqenit të Sharrës, kunatën e tij. Lirie Xhepa u gjet mëngjesin e 14 shkurtit e torturuar me sende të forta. Më pas ajo ishte qëlluar me dy plumba dhe trupi i ishte hedhur mes shkurreve.
Ishte Dashamir Xhepa autori i kësaj vrasje, i cili ka patur konflikte të shpeshta me kunatën. Ai u arrestua në një hotel në Peshkopi 13 ditë pas ngjarjes, nga disa oficerë që u paraqitën si klientë.
Shkak i vrasjes sipas dosjes së prokurorisë, ishin dyshimet që Dashamir Xhepa pati se kunata kishte krijuar lidhje intime me persona të tjerë, pasi i kishte vdekur vëllai.
Po kështu Xhepa pretendonte se një tokë ia kishte lënë amanet vëllai, por që Lirie Xhepa nuk pranoi t’ia jepte. Lirie Xhepa ishte nëna e 4 fëmijëve dhe sipas Gjykatës kjo ishte një vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare, prandaj është dhënë dënimi maksimal, ai i përjetshëm.