Gjykata Themelore në Ferizaj ka dënuar sot me burgim të përjetshëm Dardan Krivaqën, për vrasjen e 18-vjeçares, Marigona Osmani, ndërsa për bashkëpunëtorin Arbër Sejdiu u dha dënimi prej 15 vitesh burgim.
Dy të akuzuarit u liruan nga akuza e dhunimit, përkatësisht ndihmës në kryerjen e dhunimit, pasi sipas Gjykatës nuk ka pasur prova të mjaftueshme për të vërtetuar një gjë të tillë.
Avokati i familjes së Marigona Osmanit, Gazmend Rexhepi, ka paralajmëruar ankesë, sepse, siç ka thënë, edhe akuzuari i dytë meriton burgim të përjetshëm.
“Vrasja e Marigonës ka qenë vrasja më e rëndë në periudhën e pasluftës, sepse kronologjia e kësaj vrasjeje ka zgjatur 72 orë më herët se ajo të ndërrojë jetë”, tha ai.
Ngjarja ka ndodhur më 21 gusht 2021, kur Dardan Krivaqa rreth orës 10:14, në banesën e tij, pa pëlqimin e së ndjerës Marigona Osmani, e kishte detyruar atë të kryente marrëdhënie seksuale me të.
Një ditë më pas, më 22 gusht 2021, Krivaqa dhe Sejdiu akuzohen se e kanë vrarë Marigona Osmanin, në përpjekje për të fshehur dhunën.
Që të dy akuzohen po ashtu se kanë tentuar të fshehin gjurmët e krimit, duke tentuar të fshehin pamjet e kamerave të sigurisë.