Dy të rinj ranë në prangat e policisë në Divjakë për vjedhjen e 5 banesave përgjatë dt javëve të fundit. Gjithçka nisi pas denoncimit të një të moshuare, e cila deklaroi se 2 persona i kishin vjedhur me dhunë sende me vlerë, në shtëpinë e saj në fshatin Shën e Premte.
Me t’u vënë në lëvizje, autoritetet policore identifikuar autorët dhe i vunë në pranga. Nga hetimet rezultoi po ashtu se dyshja përgjatë 2 javëve të fundit kishin vjedhur 4 banesa të tjera, në të njëjtin fshat. Shënjestër e tyre ishin shtëpitë ku pronarët ndodheshin jashtë vendit.
“Si rezultat i administrimit me përparësi të kallëzimit të një 81-vjeçareje, se 2 shtetas i kishin vjedhur me dhunë, bizhuteritë e floririt që kishte në banesë, në fshatin Shën e Premte, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Divjakë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Repeat”, bënë të mundur identifikimin, kapjen dhe vënien në pranga të autorëve të dyshuar të këtij rasti, shtetasve A. B., 25 vjeç dhe G. K., 19 vjeç, të dy banues në fshatin Shën e Premte. Nga veprimet e mëtejshme hetimore rezultoi se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, gjatë 2 javëve të fundit, kanë vjedhur pajisje elektroshtëpiake dhe pije alkoolike, në 4 banesa të tjera, në të njëjtin fshat, pronarët e të cilave aktualisht janë jashtë shtetit. Vijojnë veprimet hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga këta 2 shtetas”, thuhet në një njoftim të policisë së Divjakës.