Një specie e rrallë e Ariut të Murrmë që jeton në pyjet e Mokrës ka rënë në një çark të ngritur nga persona që i gjuajnë këto kafshë të mbrojtura nga shteti.
Ariu është parë nga banorë të zonës të cilët e kanë raportuar videon pranë ADZM për të bërë të mundur lirimin e kafshës.
Disa specialistë të Zonave të Mbrojtura janë nisur drejt zonës, në pyjet e fshatit Çezmë për të bërë të mundur lirimin e Ariut të Murrmë.
Specialistët e Zonave të Mbrojtura do e vendosin si fillim në gjumë ariun me ilaç dhe më pas do të bëjnë mjekimin e këmbës dhe lëshimin e tij në pyll.
Kujtojmë se pak kohë më parë një shqiponjë u kap dhe u lidh me qëllim balsamosjen dhe pavarësisht ndërhyrjes së specialistëve shqiponja nuk mbijetoi.
Rasti i Ariut të murrmë është një tjetër ngjarje që tregon se gjuetia e paligjshme vijon në pyje dhe gjahtarë të tillë përfitojnë vlera të konsiderueshme monetare nga këto kafshë.