Kryesore “Denoncuan Vuçiçin dhe jo Ramën”, Berisha: Ndërkombëtarët me dy standarde

“Denoncuan Vuçiçin dhe jo Ramën”, Berisha: Ndërkombëtarët me dy standarde

Në takimin e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike të Rithemelimit, Sali Berisha ngriti akuza edhe ndaj ndërkombëtarëve, duke thënë se kanë mbajtur qëndrime me dy standarde sa i përket zgjedhjeve në Serbi dhe atyre në Shqipëri.

“Me këtë rast duhet të theksoj një moment për të gjithë partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë. Përshëndes qëndrimin që mbajtët ndaj zgjedhjeve në Serbi. Aleksandër Vuçiç është një kriminel lufte që vendin duhet ta ketë vetëm në Hagë. Aleksandër Vuçiç, për të shkelmuar votën e qytetarëve serbë, është i aftë të ndërmarrë çdo hap. Por të nderuar partnerë, duke denoncuar Aleksandër Vuçiç dhe zgjedhjet e tij, dhe duke injoruar batërdinë zgjedhore të Pashiqit shqiptar, të argatit të Vuçiçit, ju nuk kontribuoni në paqen dhe stabilitetin e këtij rajoni.

Përkundrazi me këtë standard vetëm sa nxitet më tej nacionalizmi serb dhe konsolidohet regjimi i narkoshtetit në Shqipëri. Zgjedhjet në Shqipëri ishin disa shkallë më të këqija se zgjedhjet në Serbi dhe në çdo vend tjetër, që janë parë ndonjëherë. Opozita luftohet sepse është e fundit rrugë që u ka mbetur shqiptarëve që të mësojnë të vërtetën.

Prandaj unë edhe njëherë do i prish edhe njëherë rehatinë diktaturës duke thënë disa të vërteta që janë ulëritëse. Opozita nuk është e dobët, por është e sulmuar nga qeveria e padrinos dhe de facto e përjashtuar prej parlamentit të tij. E sulmuar nga gjykatat dhe prokuroria politike dhe institucionet e tjera të narkoshtetit. E sulmuar edhe nga disa prej medieve më kryesore të vendit. Analistë dhe banalistë që pasurohen çdo ditë bashkë me pushtetarët. E sulmuar nga organizatat e krimit dhe drogës, të lidhura me Edi Ramën dhe ministrat e tij, por që vendosin ku të duan dhe çfarë të duan në republikën e krimit. E sulmuar nga korrupsioni transnacional. Më gjeni një opozitë në botë që do i rezistonte këtij lloj agresioni siç rezistuam ne”, tha Berisha.