Kryeministri Edi Rama ka reaguar për incidentin që ndodhi në seancën e sotme parlamentare, ku deputetët e Partisë Demokratike nxorën karriget e tyre jashtë Kuvendit dhe i vunë flakën në shenjë proteste për burgosjen me një vit të Ervin Salianjit.
Teksa mori fjalën në takimin që po zhvillohet në selinë e PS me aspirantët për kandidatë për deputetë në zgjedhjet e 2025 që kanë aplikuar në platformën “Deputeti që duam”, Rama u tregoi një foto nga skena e djegies së karrigeve në Kuvend.
E cilësoi revoltë kundër vendimit të një gjykate.
“Siç e shihni është një zjarr i ndezur me karriget e deputetëve të zgjedhur për t’u ulur aty dhe për të përfaqësuar ata që i çojnë atje, në shenjë revolte ndaj një vendimi gjykate. Pse e solla këtu këtë imazh? Sepse dua të them pak fjalë për politikën e cila prej shumë kohësh, jo vetëm në Shqipëri, kalon ditë jo të mira në perceptimin publik dhe në të vërtetë është një mjet që i ka bërë gjërat jashtëzakonisht të mëdha në historinë e njerëzimit, por edhe katastrofa. Refuzimi i politikës apriori si diçka e keqe, e pistë, me të cilën më e mira është mos të ngatërrohesh është foshnjarak sepse është e pamundur që ta vendosësh ti se çfarë politika bën apo nuk bën me ty. Ti mund të vendosësh se sa mund ti ta ndikosh politikën duke u marrë me të. Por në rast se ti i kthen kurrizin, refuzon të merresh me të, ajo ka gjithë pushtetin mbi ty. Çdo gjë jashtë dyerve të shpisë në ndërvperimet tona mes njerëzish në një mënyrë a një tjetër lidhet me politikën, por edhe brenda shtëpisë. Qoftë jeta brenda dhe jashtë shtëpisë dhe bashkëjetesa mes nesh janë rezultat i politikës dhe se sa është në gjendje cilësinë e jetës tonë ta ngrejë më lart. Politika ka një fuqi ndërtuese të jashtëzakonshme, të pankonkurrueshme. Dëgjova kandidatin që ka ardhur nga SHBA. Shtetet e Bashkuara nuk do ekzistonin nëse nuk ishte politika. Bashkimin Evropian e ka krijuar politika. Ka krijuar të gjitha ato që konsiderohen arritje. Pa politikë s’ka shtet, pa shtet është xhungël”, tha Rama.
Ai theksoi se politika sot në Shqipëri ka dy realitete.
“Por nga ana tjetër, ka fuqinë demoniale që të shkatërrojë. Siç ka fuqinë të shërojë përmes proceseve dhe e vendimeve dhe vullnetit të vet, politika ka fuqinë djallëzore të plagosë, dërrmojë, sakatojë. Siç ka fuqinë të mbjellë, ka fuqinë të shfarosë. Unë besoj që mes këtyre dy pamjeve, kuptohet jo absolute, qëndron dhe ndarja sot këtu te ne, midis nesh. Përpiqemi të ndërtojmë, shërojmë, mbjellim dhe atyre që shkatërrojnë, plagosin, shkulin, djegin. Do duhej një histori e gjatë për të treguar si e qysh është ndarë kështu politikla në Shqipëri. Si është vendosur klështu një ekuilibër që përgjithësisht e ka penguar Shqipërinë të bëhej aq sa do bëhej nëse ky ekuilibër do ishte më i shëndetshëm dhe do vendosej mes forcash që janë në të njëjtën anë, të mbjelljes dhe kultivimit.
Mirëpo, kështu është! Duke qenë kështu, Shqipëria ka humbur shumë kohë. Kaq e vërtetë është sa nëse reforma që ne kemi ndërmarrë pothuajse 25 vjet pas fillimit të të jetuarit tonë në liri, të ishte ndërmarrë 10, 15 edhe 20 vjet para, sot do ishin shumë më mirë. Është jashtëzakonisht e vështirë të merresh me politikë dhe dua t’ju përgëzoj, ju e keni hedhur këtë hap duke marrë përsipër të provoni të hyni në një arenë ku ka shumë baltë. Nëse do ktheni kokën rreth e rrotull në tavolinat ku uleni, shumica nuk do u thonë “bravo”. “Të ka lënë mendja të shkosh të merresh me ata horra, maskarenj, të droguar?!” Ky është një perceptim që është dominant te njerëzit që kanë marrë më shumë nga ky vend dhe duhet të japin më shumë”, tha kryesocialisti.