I ftuar në emisionin Top Talk, Ahmet Gjanaj, deputeti shqiptar i Parlamentit të Belgjikës ka kritikuar liderët politik në Shqipëri. Referuar kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama, kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe Presidentit Meta, zoti Gjanaj i cilësoi si oligarkë politik. Sipas tij, politikanët shqiptarë e përdorin drejtësinë për të marrë pushtet.
“Politikanët shqiptarë që kanë pjesë në të gjitha vendimet që merren, që herë pas herë i referohen drejtësisë, por nuk i besojnë drejtësisë. Politikanët ndikojnë negativisht mbi drejtësinë dhe i referohen thjeshte si koncept për t’i hedhur hi sy shqiptarëve dhe për të marrë pushtetin”, tha Gjanaj.
Ndërkohë deputeti shqiptar i Belgjikës foli edhe për blerjen e votave, duke thënë që kjo nuk është një histori e sotme, por që është një histori në proces.
“Blerja e votave nuk është një histori e sotme, por është një histori në proces. Filloi me ndikimet e drejtpërdrejta. Pastaj u hodhën paratë dhe kemi arritur në një moment, ku paraja qarkullon në mënyrë të zakontë dhe vota shitet. Po kjo histori nuk filloi tani, por është një histori 30-vjeçare dhe duhet të ketë një rishikim të sistemit”, këshilloi Gjanaj.
Sipas tij, palët duhet të ulen për kompromis dhe të japin një pjesë të pushtetit.
“Opozita në 2017 doli në nën çadër dhe arrit situata deri në atë pikë që ndërhyn ndërkombëtarët dhe kjo nuk i shërben një demokracie të shëndoshë dhe në fund pamë një marrëveshje mes kreut të maxhorancës dhe opozitës pa asnjë transparencë. Akoma nuk e dimë se çfarë është vendosur në atë takim dhe përsëri kemi një krizë të njëjtë, ose më të acaruar. Ky sistem ka treguar limitin e vet dhe tani duhet të kalohet në një tjetër etapë.
Belgjika do e kishte zgjedhur këtë problem në një tavolinë me kompromis dhe kjo duhet të kishte ndodhur edhe në Shqipëri, pavarësisht se situata është shumë e acaruar. Duhet një kompromis kur palët të bashkohen në një tavolinë, të flasin dhe të japin nga një pjesë të pushtetit. Kemi afatin e tetorit kur ne kemi nevojë që të jemi sa më shumë unik që të çelim negociatat”, tha deputeti Gjanaj.