Me shumë vëmendje u ndoq nga shtypi gjerman vizita e kryeministrit grek Aleksis Tsipras në Turqi.
Der Spiegel, vë në dukje se Greqia dhe Turqia janë rivalë historikë, por Presidenti Erdogan dhe kryeministri Tsipras kanë mbajtur “një lidhje të fortë, sepse përfitojnë nga njëri-tjetri”.
“Dialogu ynë gjatë këtyre viteve ka qenë i sinqertë dhe i qëndrueshëm”, tha Erdogan në konferencën e përbashkët për shtyp dhe kujtoi se pas tentativës së grushtit të shtetit, Tsipras ishte një nga udhëheqësit e parë që e telefonoi.
Në rrethin konfidencial kryeministri grek e ka përshkruar Erdoganin si një “tip serioz dhe të ndershëm”.
Sipas Der Spiegel, Erdogan e sheh Tsiprasin si një prej aleatëve të paktë në Bashkimin Evropian.
“Ata e dinë se kanë nevojë për njëri-tjetrin për çështje të ndryshme, ndonëse lista e dallimeve është e gjatë”, shkruan revista gjermane.
“Erdogan po shton presionin për dorëzimin e tetë ushtarakëve turq që dezertuan pas tentativës për grusht shteti. Është një dëshirë që Tsipras nuk mund ta përmbushë për shkak se çështja e ushtarakëve po trajtohet nga sistemi i drejtësisë greke, i cili është i pavarur.
Të dy palët po ashtu nuk pajtohen për Qipron dhe ishujt në Egje, por kanë interesa të përbashkëta në çështjen e emigrantëve. Në qoftë se Turqia ndërpresë marrëveshjen me BE-në, gjendja në Lesvos, Kios dhe Kos do të jetë krejtësisht jashtë kontrollit”, shton më tej Der Spiegel.