Një derbi planetar, me numër të jashtëzakonshëm tifozësh. Biletat e të gjithave vendeve në “San Siro” janë shitur, edhe nëse nuk do të regjistrohet një rekord të ardhurash për Interin. 6.5 milionët e arkivuara në tetor për ndeshjen kundër Juventusit do të mbeten shifrat më të larta në historinë e Serie A, edhe pas ndërqytetases së Milanos, nesër në mbrëmje. Në këtë drejtim, për të ardhurat nga biletat, derbi i radhës do të jetë në vendin e tretë ndonjëherë (i dyti është ende një ndeshje Inter-Juve, por në sezonin e kaluar). Interesimi i mediave është shumë i madh dhe numri i akreditimeve e vërteton këtë.
250 gazetarë janë akredituar për sfidën e mbrëmjes së nesërme, më shumë se dhjetë stacione radiofonike, që do ta transmetojnë ndeshjen “live”, në të gjithë botën, dhe mbi 20 televizione të huaj, për të transmetuar një derbi, që do të jetë “live” në të gjithë botën, veçanërisht prej Interit, që synon titullin kampion. Në Amerikë, Afrikë dhe Azi janë planifikuar edhe programe të posaçme nga transmetuesit më të rëndësishëm atje, vetëm për të mos humbur asgjë nga nata e Milanos.
Ky derbi do të luhet, gjithashtu, në emër të solidaritetit. Mbrëmja e së dielës do t’i japë Kinës një mbështetje virtuale. Shteti i madh aziatik është vendlindja e familjes Zhang (presidencës zikaltër). Atje po luftohet me koronavirusin e frikshëm që ka shkaktuar qindra viktima njerëzore. Pas 300.000 maskave të dërguara në Wuhan, nesër Interi do të luajë me një shirit në fanellë dhe parullën “sot dhe gjithmonë, së bashku si ekip” (me shumë shkrime edhe në gjuhën kineze).