E mërkura e Kupës së Italisë do të lërë një të eliminuar në fushën e lojës, pasi kush do të humbasë mes Milan dhe Inter do të marrë një goditje të rëndë, përtej rëndësisë së një turneu të tillë.
Çerekfinalja e Kupës mbrëmjen e së mërkurës është karikuar më shumë në dy javët e fundit për shkak të rezultateve negative të skuadrave milaneze.
Do të përballen dy ekipe që janë në momentet më të vështira në sezonin aktual. Si Milan, ashtu edhe Inter, kanë Champions-in një objektiv të deklaruar, por kuqezinjtë e lanë pas verën ekzaltuese e tani do të kënaqen edhe nëse arrijnë në kupën më të vogël kontinentale. Një sukses në derbi do të ishte ilaçi i duhur për Gatuzon që rrezikon shkarkimin. Nëse Champions është larg 14 pikë, Kupa është një turne për t’i dhënë kuptim sezonit.
Derbi me rëndësi edhe për Interin, që deri në ndeshjen ndaj Pordenones në Kupën e Italisë po ecte mirë dhe brenda objektivave. Ato 120 minuta lojë ndaj një ekipi të Serisë C sollën dhe pasiguritë e para. Skuadra e pamposhtur për 16 javë me radhë më pas vuajti dy disfata radhazi. Për të ndalur hemorragjinë në një derbi ndaj Milanit, bëhet thuajse e detyrueshme fitorja. Nëse do të formalizohet një tripletë humbjesh, për Interin do të jetë e vështirë në përballjen vendimtare ndaj Lacios për zonën Champions.