Karriera e Marash Kumbullës është në udhëkryq të madh. Mbrojtësi i ri po luan mirë me Hellas Veronën dhe ka formuar një dyshe solide në qendër me Amir Rrahmanin. Interesimi i klubeve të mëdha të Serie A për shqiptarin është rritur.
Portali italian “Tofofichajes.com” bën me dije se së fundmi në garë për shërbimet e të riut është futur dhe Milani. “Djalli” ka një konkurrencë të fortë për të mposhtur, pasi duhet të kalojë Interin, Juventusin dhe Napolin.
Të katër skuadrat historike të Italisë duan të sigurojnë shërbimet e lojtarit të kombëtares sonë. Mosha e tij e re dhe të dhënat e mirë kanë bërë që besimi për të të jetë i madh. Hellas Verona nga krahu tjetër nuk ka ndërmend të bllokojë lëvizjen.
Klubi aktual kërkon që të përfitojë sa më shumë nga shitja e Kumbullës. Ata presin ofertën më të mirë që t’i japin liri Kumbullës të largohet. Vetë lojtari dhe menaxheri i tij nuk po nxitohen. Ata duan një ekip ku shkodrani të luajë si titullar, pasi janë më shumë të interesuar për rritjen e tij profesionale.