Këtë të martë, në një lidhje direkte me “Skype” në emisionin “Provokacija” me gazetarin Mustafa Nano është kryeministri i vendit, Edi Rama. Në bisedën e bërë gjatë lidhjes direkte është folur edhe për 30 mjekët e dërguar nga Shqipëria në Itali.
Kryeministri u shpreh se kishte dëgjuar nga një mik për ca struktura të reja spitalore që do hapeshin dhe se duheshin mjekë. Gjatë bisedës, kryeministri shpjegoi që fillimisht, bashkë me ministren e Shëndetësisë e testuan situatën, për reagime të mundshme, dhe pasi pa që reagimet ishin pozitive dhe pasi foli në telefon me Italinë dhe mori konfirmimin se edhe vetëm një mjek i vetëm do të ishte ndihmë, vendosën që t’i dërgonin mjekët.
Nano: E prisnit bujën para se të bënit gjestin?
Rama: “Kaq të madhe, jo!”
Ishte një gjest i bërë nga ju?
Rama: Po, po u bë instinktivisht duke dëgjuar nga një mik lidhur me ca struktura të reja spitalore që do hapeshin por nuk kishin mjekë, infermierë, veç parave dhe instrumentave. Dhe, që mund të ishte mirë që të mendohej kjo gjë. Si fillim mu duk pak intimiduse si ide se thashë se mos thonë ja… Në fund të fundit në gjithë atë det të madh, një pikë ujë çfarë do ndryshojë. Pastaj fola me Ogertën dhe ajo më shpjegoi se i kemi mundësitë… Dhe pastaj i thashë ‘bej një test me kujdes që të mos hapet fjala se mendoja se mund të kishte reagim negativ. Ato historitë shqiptare që ndonjë herë bëhen shkak për të paragjykuar. Pastaj Ogerta më tha pata një xhiro telefonatash dhe pashë që përgjithësisht reagimi ishte pozitiv…”
Rama u shpreh gjithashtu se e priste që dërgimi të bënte efekt, por jo këtë bujë që bëri. Më tej Rama, tha se nuk ka pasur ndonjëherë kaq shumë mesazhe, as për vitin e ri dhe as për fitore zgjedhjesh, sa ka pasur në italisht që pas dërgimit të mjekëve.