Njeriu, që nga zanafilla e tij, gjithmonë ka qenë në shoqëri me kafshët. Ai është përpjekur t’i përdorë për interesin e tij, si: për punë, mbrojtje, ushqim, veshje dhe shoqëri. Por në historinë e njerëzimit vërejmë edhe devijime të kësaj marrëdhënieje natyrore njeri-kafshë, kur njeriu, me dëshirën e kontrolluar nga padituria, ka krijuar varësi nga kafshët duke i kthyer ato në “zota”, madje duke i adhuruar edhe me flijime, ose ka krijuar marrëdhënie intime me kafshët duke pasur një marrëdhënie perverse jashtë ligjit natyral.
Adhuruesit e kafshëve u quajtën paganë ose idhujtarë, kurse ata që krijojnë lidhje intime, zoofilë. Zoofili u referohet të gjitha aspekteve të emocioneve, tërheqjes ose orientimit seksual ndaj kafshëve. Këto përqasje dhe marrëdhënie me kafshët quheshin normale te popuj paganë shumë shekuj para Krishterimit. Egjiptianët e lashtë e ushtronin zoofilinë si bashkim me zotat në formën zoohomorfe; po ashtu, edhe te indianët ishte përhapur marrëdhënia seksuale me kafshët si një përvojë seksuale pa kufij.
Midis këtyre popujve të lashtë, i vetmi që ndalonte me ligj adhurimin dhe marrëdhënien seksuale me kafshët ishte populli i Izraelit, i cili, në shek. XIV para K., merr ligjin e Zotit, ku thuhet qartë: “Atëherë Perëndia shqiptoi tërë këto fjalë, duke thënë: “Unë jam Zoti, Perëndia yt… Nuk do të kesh perëndi të tjerë para meje. Nuk do të bësh skulpturë ose shëmbëlltyrë të asnjë gjëje që ndodhet aty në qiejt ose këtu poshtë në tokë ose në ujërat nën tokë. Nuk do të përkulesh para tyre dhe as do t’i shërbesh, sepse unë, Zoti, Perëndia yt”” (Eks. 20:1-5). “Nuk do të bashkohesh me asnjë kafshë duke u ndotur me të; gjithashtu asnjë grua të mos i afrohet një kafshe për t’u bashkuar me të; është një degjenerim i neveritshëm” (Lev. 18:23).
Ligji i dhënë nga Zoti e ringriti njeriun në dinjitetin e tij të mëparshëm që kishte kur u vendos në fillim në kopshtin e Edenit në shoqëri me kafshët, si mbreti i tyre. Njeriu ka të përbashkët me kafshën trupin e tij prej balte sëbashku me instiktet për të mbijetuar, por njëkohësisht dallon nga kafsha jo vetëm nga pamja e tij e jashtme e trupit, por veçanërisht nga shpirti i tij i arsyeshëm, që e bën atë shëmbëlltyrë dhe komunikues me Zotin, por edhe të aftë të kontrollojë e të drejtojë kafshët e paarsyeshme. Kjo e vërtetë e madhe na është treguar në Bibël: “Pastaj Perëndia tha: “Ta bëjmë njeriun sipas shëmbëlltyrës sonë dhe në ngjasim me ne, dhe të ushtrojë sundimin e tij mbi peshqit e detit, mbi zogjtë e qiellit, mbi kafshët e mbi gjithë tokën, mbi rrëshqanorët që zvarriten mbi dhe”” (Zan. 1:26). Fakti se njeriu qëndron më lart se kafshët për nga intelekti i tij dhe kjo i jep autoritet ndaj tyre, tregohet përsëri në Bibël, kur njeriu u vuri emrat kafshëve: “Dhe Zoti Perëndi formoi nga dheu tërë kafshët e fushës dhe tërë zogjtë e qiellit dhe i çoi te njeriu për të parë si do t’i quante; dhe sido që njeriu t’i quante qeniet e gjalla, ai do të ishte emri i tyre” (Zan. 2:19-19). Po ashtu, njeriu nuk mund të krijojë lidhje shoqërore në çift me kafshët duke zëvendësuar shoqërinë njerëzore, sepse kjo është e pamundur: “Dhe njeriu u vuri emra tërë bagëtisë, zogjve të qiellit dhe çdo kafshe të fushave; por për njeriun nuk u gjend asnjë ndihmë (shoqe) e përshtatshme për të” (Zan. 2:19-20).
Me përhapjen e Krishterimit në Perandorinë Romake dhe përtej saj, që në shek. I pas K, idhujtaria, zoolatria dhe zoofilia pësuan një goditje të rëndë, madje u zhdukën dhe dënoheshin me ligje perandorake. Edhe islamizmi si fe monoteiste, që u shfaq në shek. VII pas K, përsëri ishte kundër këtyre praktikave pagane dhe dënonte me lligje Kuranore adhurimin dhe bashkimin seksual me kafshët.
Në shek. XIX në Europë u rishfaq “teoria e evolucionit”, një teori e vjetër që nga grekët e lashtë, por e rishfaqur prej natyralistit Charles Robert Darvin (1809-1882), i cili hamendësonte se njeriu është produkt i një krijimi të rastësishëm evolutiv dhe nuk mund të dalë jashtë natyrës së kafshës. Ai shprehet: “Njeriu në arrogancën e tij beson se është një vepër madhore sa për të merituar krijimin nga hyjnitë. Besoj se është e drejtë të konsiderohet pasardhës i kafshëve”.
Pranimi i kësaj teorie utopike si “shkencore” bëri të mundur rishfaqjen në Evropë të fenomenit të paganizmit dhe të zoofilisë. Kjo nuk ndodhi menjëherë, por gradualisht. Në fillim, teoria e Darvinit stimuloi ateizmin, duke vënë në dyshim ligjet e Zotit. Njerëzit ateistë filluan të mendonin se, nëse qenia humane është një kafshë më e zhvilluar nga të tjerat, kjo nuk e ndalon atë që të ketë shoqëri me kafshët deri në intimitet.
Që nga ajo kohë, gjërat kanë evoluar në regres, p.sh. në Gjermani, nga shoqata e mbrojtjes së kafshëve po krijohen kopshte zoologjike erotike, ku zoofilët të kenë mundësi të krijojnë marrëdhënie me to. Deri në vitin 1969, zoofilia ishte një veprim penal, por, pas këtij viti, nuk hamendësohet më si i tillë dhe kjo gjë po rrit numrin e atyre që abuzojnë me kafshët. Po ashtu, duke gjetur gjithnjë e më shumë terren në Evropë e në Amerikë, fetë induiste e budiste, ku kafshët personifikohen si “zota” ose shikohen si procese të rikarnacionit (rimishërimit), po bëjnë të mundur rishfaqen përsëri të adhurimit të kafshëve, madje edhe në këto vende me traditën e besimit të krishterë.
Përveç këtyre orientimeve dhe devijimeve të gabuara të marrëdhënies së njeriut me kafshën, ajo që konstatohet rëndom sot, është se njerëzit e kohëve moderne në përgjithësi po krijojnë idenë se ndihen më rehat me kafshët sesa me njëri-tjetrin. Njerëzit e sotëm kanë tendencë për ftohjen e dashurisë në shoqërinë midis tyre. Kjo vërehet edhe në marrëdhëniet në çift e në familje. Njerëzit ndjehen si ishuj brëda shtëpive dhe nuk gjejnë përmbushje në lidhjet e tyre shoqërore. Kafshët si qeni, macja etj., po zëvendësojnë njeriun e afërt të munguar apo të padëshiruar, kafshët po fitojnë terren brenda familjes, aq sa po bëhen “persona” që rivalizojnë dhe zëvendësojnë njerëzit që po kthehen në individ nga mungesa e komunikimit. Shikojmë gra e burra që shëtisin me qen ose mbajnë mace në shtëpi, apo edhe kafshë të tjera, të cilave u drejtohen me fjalë dhe epitete njerëzore, si: “biri im”, “shpirti i mamit” e të tjera si këto gjëra të tepërta edhe qesharake.
Shoqëria me kafshët mund të duket si diçka normale dhe mund të justifikohet se është nevojë psikologjike, antistres, ose e nevojshme në rrethana të ndryshme, ku kafshët mund t’i shërbejnë njerëzve në nevojë. Problemi nuk është shoqëria me kafshën se kjo është naturale si e cituam më sipër,por kur njerëzit e teprojnë deri aty sa zëvendësojnë shoqërinë me njerëzit me atë me kafshën, përkujdesjen për të afërmit me përkujdesjen për kafshët. P.sh. ka vajza të cilat nuk dëshirojnë të bëhen nëna, sepse nuk duan të sakrifikojnë lukun e tyre ose karrierën për të rritur një fëmijë, por janë gati të rrisin një qen a një mace. Ato shqetësohen për dhunimin e një kafshe, gjë që vërtet është e gabuar, siç thotë filozofi gjerman Emanuel Kant (1724-1804): “Ai që është mizor për kafshët bëhet i vështirë edhe në marrëdhëniet e tij me njerëzit. Ne mund të gjykojmë zemrën e një njeriu me trajtimin e kafshëve”,por paradoksi është se nuk shqetësohen aspak e as nuk i vret ndërgjegjja kur vrasin fëmijët e tyre me abort, ose kur ushqejnë kafshët me ushqime të zgjedhura dhe ngurrojnë të ushqejnë me një copë bukë një fëmijë që lyp në rrugë. Hipokrizi e madhe është kur ligjivënësit nxjerrin ligje për mbrojtjen e kafshëve, por, nga ana tjetër, nuk shqetësohen dhe janë indiferent për shumë padrejtësi që u bëhen njerëzve, të cilët vuajnë e vdesin para kohe nga keqtrajtimi, indiferenca dhe krimet kundër njerëzimit.
Për kafshët shpenzohen shumë para: për t’i blerë, për ushqimin e tyre, për shëndetin, madje edhe për pamjen e tyre. Sipas The Annual Cost Of Pet Ownerships, të marrësh një qen kushton 1270 dollarë dhe një mace kushton 1070 dollarë. Siç mund ta shihni, të kesh një kafshë mund të kushtojë mbi 1000 dollarë në vitin e parë dhe mbi 500 dollarë çdo vit shtesë për ta mbajtur. Edhe në Shqipëri mbajtja e kafshës (qen, mace) kushton me këtë kosto,që pothuajse varion në të njëjtat vlera. sipas çmimit të tregut të kafshëve shtëpiake për argëtim.
Njerëzit, nga natyra, janë qenie shoqërore, por në këtë brez ata po bëhen shumë egoistë për shumë arsye. Njerëzit e sotëm duan të dëgjojnë gjithnjë e më shumë vetëm veten e tyre; kështu ndodh që bashkëshortët braktisin njëri-tjetrin, prindërit fëmijët, miqtë njëri-tjetrin dhe lidhen në shoqëri me kafshët. Një ndër arsyet e këtij fenomeni është se kafshët u binden urdhrave të padronit të tyre egoist, i cili gjen përmbushje të egos vetjake dhe, për këtë, i shpërblen kafshët duke i mbajtur pranë vetes, duke u shërbyer dhe duke e bërë madje idhull të egos së tij të sëmurë. Dëgjojmë njerëz që thonë: “unë e adhuroj qenin, macen time”… kjo fjalë e pavend është blasfemi, sepse adhurimi si fjalë dhe si veprim i takon vetëm Zotit të Gjithpushtetshëm. Për këtë gjendje egoiste deri në marrëzi, një rikthim në paganizëm i përshtaten fjalët e Aristoteli (384-322):“ Ai që nuk është i aftë të jetojë në shoqëri ose që nuk ka nevojë për atë dhe mendon se ai është i mjaftueshëm për vete, duhet të jetë ose një kafshë ose një hyjni”
Egoizmi e e izolon njeriun, ai pushon të jetë një person,por mbetet thjesht një individ i vetmuar që mer frymë ha,pi shtohet dhe vdes si të gjitha qenjet e krijuara në këtë planet. Murg anglez, Aelredus Rievallensis (1110-1167), shprehet për këtë gjëndje: “Mund të krahasohet me një kafshë ai që nuk ka asnjë person afër me të cilin të gëzohet në kohë të lumturisë, e të qajë në kohë të hidhërimit”.Njeriu kur bie në këtë gjëndje të vetmis dhe gjen ngushëllim vetëm në shoqëri me kafshën duke refuzuar shoqëri me njerëzit,rezikohet të bjerë më poshtë se kafsha ashtu si edhe piktori romantik Ferdinand Victor Eugène Delacroix (1798 –1863) i dëshpëruar shprehet: “Njeriu është një kafshë shoqërore që nuk i do shokët e tij.”
Mbajtja e kafshëve në apartamente ose vende të papërshtatshme i dëmton edhe ato vetë, sepse kafshët janë krijuar për të jetuar në habitatin e tyre; qëndrimi i tyre jashtë së natyrshmes, është padrejtësi mbi vetë kafshën, e cila burgoset dhe nuk ka aktivitet normal sipas instinktit natyror. Kafshët kanë habitatin e tyre në rendin natyror,psh qeni ri jashtë shtëpisë për të ruajtur,por sot e shikojmë qenin në krevat të njerëzve, etj gjëra anormale edhe për vetë kafshët rob të tekave të njerëzve. Autori amerikan për të drejtat e kafshëve, Jeffrey Moussaieff Masson (lindur më 1941) thotë: “Një kafshë është e lumtur kur bën atë gjë që evolucioni e ka përshtatur për të bërë në natyrë”
Krishterimi që doktrinën e tij e ka të bazuar në Shkrimin e Shenjtë, nuk është kundër kafshëve, përkundrazi, aty ka ligje ku kafshët mbrohen dhe nuk duhet të keqtrajtohen. Zoti në providencën e Tij kujdeset edhe për kafshët dhe çdo gjallesë, sado e vogël që të jetë. Te libri i Psalmeve thuhet: “Sytë e të gjithëve shikojnë drejt teje duke pritur, dhe ti u jep atyre ushqimin në kohën e duhur. Ti e hap dorën tënde dhe plotëson dëshirën e çdo qenieje të gjallë” (Psal. 154:15-16). Në ligjin e Moisiut urdhërohet të tregohet kujdes i duhur për kafshët shtëpiake, p.sh.: “Në rast se takon kaun e armikut tënd ose gomarin e tij që ka humbur rrugën, do t’ia kthesh atij. Në rast se sheh gomarin e atij që të urren të shtrirë për tokë nën barrën, ruhu se e braktis, por ndihmo të zotin ta zgjidhë” (Eks. 23:4-5). Madje edhe kafsha duhet të pushonte si pushon njeriu: “por dita e shtatë është e shtuna, e shenjtë për Zotin, Perëndinë tënd; nuk do të bësh në atë ditë asnjë punë, as ti, as biri yt, as bija jote, as shërbëtori yt, as shërbëtorja jote, as kafshët e tua” (Eks. 20:10). Bibla gjithmonë i jep prioritet jetës së njeriut; kafshët e rrezikshme duhen mbajtur në kontroll dhe në disa raste edhe duhen vrarë: “Unë do të kërkoj sigurisht llogari për gjakun e jetëve tuaja dhe këtë do t’ia kërkoj çdo kafshe dhe njeriu” (Zan. 9:5-6).
Lidhja e njeriut me kafshën nuk duhet kurrsesi ta konkurrojë lidhjen e njeriut me Zotin, pra, që kafsha të konsiderohet si “zot”; kafsha gjithashtu nuk duhet të rivalizojë lidhjen e njeriut me njeriun, sa të bëhet “bir” dhe “mik.”
Njerëzit duhet të përkujdesen për kafshët, por nuk duhet të dashurohen me to dhe t’u jepen atyre me të gjithë ndjenjat e shpirtit. Dashuria si atribut i shpirtit i është dhënë njeriut për Zotin dhe për njëri-tjetrin. Në të kundërt, kur njeriu abuzon me dashurinë dhe e largon atë nga Zoti dhe i afërmi i ngjashëm me të dhe e drejton dashurinë te kafsha, duke adhuruar kafshën, madje dhe duke pasur shoqëri intime me të, vetë njeriu rrezikohet të bjerë në nivelin e një kafshe që udhëhiqet vetëm nga instinkti dhe jo nga arsyeja, por edhe më poshtë se kafsha, në marrëzi dhe perversion.