Kryesore “Deri te Mesjeta merremi vesh, duke përjashtuar zëdhënësit e pellazgëve”, Rama: Gati...

“Deri te Mesjeta merremi vesh, duke përjashtuar zëdhënësit e pellazgëve”, Rama: Gati libri i madh i Historisë së shqiptarëve

Në fjalën e tij në Kuvendin Kombëtar për gjuhën shqipe, “Sfidat e Gjuhës Shqipe në shekullin XXI”, kryeministri Edi Rama falënderoi të gjithë ata që u angazhuan në organizmin dhe realizimin e konkursit të madh të gjuhës shqipe për nxënësit.

“Ky është një falënderim që lidhet me një ndjesi befasie që unë personalisht përjetova nga niveli i konkursit dhe nga fakti që duke parë të gjithë ata nxënës të konkurrojnë në këtë lëndë jo të lehtë, aq më tepër kur ata jetojnë në kushtet e një presioni të llahtarshëm kundër gjuhës shqipe, kundër drejtshkrimit të gjuhës shqipe, kundër artikulimit të kujdesshëm të gjuhës shqipe si rezultat i rrjeteve sociale, iu them sinqerisht se mendova që ka ende shpresë”.

“Në vitin 1972 dhe për ta lidhur me nxënësit, unë asokohe isha në klasën e dytë fillore, Eqerem Çabej ka publikuar një ese mbi origjinën e fjalës Shqipëri dhe për të gjithë ata që e njohin është një ese e gjatë që nis nga hartat antike të Aleksandrisë. Janë të parat që vendosin Albanoin dhe Albanopolisin e lartë në hartë dhe përfundon me Manastirin. Po aty në atë ese Çabeji shkruan, Shqipëria ka pasur shumë emra, por gjuha ka qenë gjithmonë një. Përsa i takon emrit shqip, shqiptar, Shqipëri, Shqipni, ky emër, shkruan Çabeji mbetet me gurë të dyshimtë. Mendime ka që të ketë dalë nga emri i shqipes, duke e pasur pra shqiptarët emrin e tyre prek këtij shpendi qysh në kohën e Skënderbeut. Duke e vënë në lidhje me anën tjetër këtë emërtim me fjalën e Plutarkut, që Pirroja pas fitores që korri mbi makedonët u kremtua me epitetin shqiponjë”, tha Rama.

E megjithatë, shtoi kryeministri, “ne nuk kemi munguar asnjëherë që të kontestojmë deri dhe Çabejin e madh në kërkim të nxjerrjes prej së shkuarës të një lavdie që në fakt për hir të së vërtetës do të na mjaftonte ta kërkonim dhe ta mbanin fort tek e vërteta dhe jo tek fantazitë dhe deliret e të sotmes”.

Rama tha se shumë shpejt do të publikohet edhe një libër i plotë i historisë së shqiptarëve.

“Dua ta mbyll me një shprehje të albanologut Maximilian Lambert, i cili thotë se “Historia e vërtetë e njerëzimit do të shkruhet vetëm atëherë kur shqiptarët të lejohet të shkruajnë historinë e tyre”. U bënë shumë vite që nuk na pengon askush të shkruajmë historinë tonë. Por është dikush që nuk na lë ta shkruajmë, që jemi ne”, tha Rama në Kuvendin e Gjuhës Shqipe.

“Dhe në këtë përballje me vetveten, në radhë të parë po përpiqemi, siç bëmë me fjalorin, që të mbështesim Akademinë e Shkencave, për të shkruar librin e madh të Historisë së Shqiptarëve. Me sa jam informuar kanë thuajse mbaruar ato volumet jo problematike. Se deri te Mesjeta merremi vesh përgjithësisht, duke përjashtuar zëdhënësit e pellazgëve që janë një prurje më vete në këtë lëmë dhe që duke folur për pellazgët në fakt përpiqen të mbrojnë interesat e tyre. Por tani vjen dhe pjesa e vështirë, ose më e vështirë. Por nuk është përsëri puna ime, puna e qeverisë, të ndikojë se si do të dalë në librin e madh të historisë kjo pjesë tjetër e cila vjen e afrohet shumë pranë të gjallëve që janë ende sot fatmirësisht në jetë dhe janë aktivë”, përfundoi kryeministri.