Pas dy ndeshjeve si titullar me kombëtaren shqiptare ku bëri paraqitje shumë të mira si me Turqinë ashtu edhe me Moldavinë, Kastriot Dermaku përfitoi nga dëmtimi i veteranit Bruno Alves për të debutuar në Serie A me fanellën e Parmës. Në sfidën ndaj Genoas të cilin skuadra emiliane e fitoi me rezultatin e thellë 5-1, Dermaku u aktivizua që nga fillimi ndërkohë që u zëvendësua në minutën e 75-të nga trajneri D’Aversa për shkak të një dëmtimi të lehtë. Pas ndeshjes Dermaku foli për mediat italiane ku nuk e fshehu kënaqësinë e tij për këtë fitore të rëndësishme.
Debutimi? “Për mua ishte një emocion i jashtëzakonshëm, sepse kam një moshë të caktuar, 27 vjeç. Shokët më kanë ndihmuar shumë. Jam shumë i lumtur, pasi shfrytëzuam çdo mundësi që kishim”.
Zëvendësimi? “Kam pasur dhimbje, mbase isha pak i lodhur, por asgjë, kaq”.
Kombëtarja? “Falënderoj stafin që më dha besim pavarësisht se nuk luajta te Parma. Ata më dhanë minuta në këmbë, duke më bërë të luaja në ndeshje të rëndësishme. Babai im vetëm mësoi që unë po luaja dhe erdhi menjëherë nga Kosova”.
Vazhdimësia? “Ne duhet të punojmë, siç po bëjmë çdo stërvitje. Sa më shpejt të arrijmë te goli, aq më mirë. Stimuli dhe motivimet bëjnë ndryshimin. Tani le të shohim se si trajneri do vendosë të përgatisë ndeshjen kundër Interit. Ne e dimë se do të jetë shumë e vështirë”.