Didier Deschamps e pranon rolin prej favoriteje të Francës në Europian, dhe predikon qetësi në vigjilje të 1/8-ve kundër Zvicrës në Bukuresht. Tekniku në fakt flet me shumë besim për skuadrën që ka në dispozicion.
“Tani rifillon gjithçka nga zero, është si të nisë një turne i ri. Ndërkohë objektivin e parë e arritëm, jemi të kënaqur që përfunduam grupin në vendin e parë, pasi nuk ishte e lehtë. Grupi ishte i komplikuar, dhe Hungaria tregoi se ishte në lartësinë e duhur, dhe kushtet klimatike ishin të vështira me gjithë këtë të nxehtë, por ne dolëm mirë dhe jam i kënaqur”.
Një mendim edhe për Zvicrën, kundërshtarin e radhës me Deschamps që e di mirë se nuk duhet ta nënvlerësojë në asnjë mënyrë.
”I njohim mirë helvetët, kanë një potencial sulmues shumë interesant me Seferovic, Embolo dhe Shaqirin. Për më tepër dinë si t’ju përshtaten kundërshtarëve. Kanë një lojë sulmuese shumë të veçantë, nuk duhet ti nënvlerësojmë. Duhet të japim maksimumin për të dalë nga kjo ndeshje me buzëqeshje”.
Shumë trajnerë përpiqen ta evitojnë etiketën e favoritëve të turneut, pasi shton presionin mbi skuadrën, por jo Deschamps, Franca e tij është kampione e botës dhe kaq mjafton.
“Të gjithë thonë se favoritët jemi ne, është normale të kemi këtë status, e pranojmë dhe nuk na shqetëson. Por diçka tjetër është në letër dhe diçka tjetër fushë, e di që kundërshtarët janë në lartësinë e duhur dhe e thashë edhe para se të përballeshim me Hungarinë, që asnjë nuk e merrte në konsideratë por që sapo e kishte bërë të vuante Portugalinë”.