Alexandra Zarini, mbesa 35-vjeçare e Aldo Gucci ka nxjerrë detaje të reja nga abuzimi seksual nga njerku i saj.
Alexandra ka nisur një proces gjyqësor ndaj njerkut, Joseph Ruffalo, i cili akuzohet se ka abuzuar seksualisht me të për 16 vite me radhë.
Ajo tregoi se ferri filloi në moshën 6-vjeçare, kur kishte parë një ëndërr të frikshme, e cila e kishte detyruar të shkonte në dhomën e nënës, ndërsa kjo e fundit e kishte ftuar vajzën të flinte me të dhe bashkëshortin e saj në shtrat.
Alexandra më pas tregon se kur ajo u zgjua në mes të natës, vuri re një dorë që ishte vendosur tek pjesët intime dhe ajo dorë ishte e Joseph Ruffalos.
Ky ishte veçse gjesti i parë i shëmtuar, por shumë episode të tjera, të dhimbshme, vazhduan deri sa Alexandra mbushi 22 vjeç.
Një dokument i publikuar nga New York Times tregon se kur Alexandra kishte mbushur 16-vjeçe, gjyshja e kishte pyetur nëse Ruffalo e ngacmonte, ndërsa ajo i ishte përgjigjur shkurt: “po”, dhe gjyshja më pas i kishte thënë që një histori të tillë ta mbante të fshehur.
E ëma dhe gjyshja e saj u përpoqën të shmangnin me çdo kusht një histori të tillë, pasi nëse do të publikohej në media do të ishte një skandal që do të njolloste emrin Gucci dhe me gjasë do t’u kushtonte atyre miliona dollarë.
Padia e Alexandra Zarini u bë në vitin 2019, pasi ajo mësoi se njerku i saj ishte një kontribues në Spitalin e Fëmijëve në Los Anxhelos.
“Unë nuk dëshiroj që një gjë e tillë të ndodhë me djalin tim apo me fëmijë të tjerë”.
Në dokumentet e paraqitura në gjykatë, ajo dëshmon se Ruffalo hynte rregullisht në shtratin e saj dhe madje e ëma edhe gjyshja ishin në dijeni për këtë gjë, por nuk e ndalonin atë dhe madje i kyçnin gojën vajzës.
Joseph Ruffalo i ka mohuar akuzat dhe avokati i tij shpjegoi për New York Times, duke deklaruar se Ruffalo “nuk është në dijeni të kësaj padie dhe mohon gjithçka në mënyrë kategorike. Në atë kohë, si ai dhe bashkëshortja e tij, ishin të shqetësuar për shëndetin mendor të Alexandrës dhe janë përballur me problemin e paqëndrueshmërisë së saj”.
Nga ana tjetër, Patricia Gucci e konfirmoi abuzimin seksual ndaj vajzës së saj, duke deklaruar se në atë periudhë nuk dinte asgjë se çfarë kishte ndodhur me të.
“Më vjen me të vërtetë shumë keq për dhimbjen që Jozefi i shkaktoi Alexandrës. Një veprim i tillë nuk mund të justifikohet, kur personalisht e mora vesh në vitin 2007, menjëherë fillova procedurat e divorcit”, deklaroi ajo për NYT.
Alexandra është shprehur se për shkak të kësaj ngjarjeje për vite me radhe konsumonte kokainë, pasi dëshironte që të mos kujtonte ngjarjen e rëndë që asaj i kishte ndodhur.