SPAK ka dhënë pretencën për Xhuliano Hoxhën dhe Euglen Halilin, të akuzuar për dy vrasjet mafioze në qytetin e Elbasanit rreth tre vite më parë, përkatësisht të Emiljano Ramazanit dhe Regis Runajt.
Kështu, për Hoxhën SPAK ka kërkuar 30 vite burg, ndërsa për Euglen Halilin, bashkëpunëtor i drejtësisë në proces, u kërkuan 12 vite burg. Gjyqi për Altin Hajrin për të njëjtat akuza është pezulluar deri në njoftimin dhe kapjen e tij.
Ndërkohë, babai i viktimës Regis Runajt ishte i pranishëm në seancë, ku kërkoi drejtësi.
“Jemi fukarenj, jemi njerëz të këputur, dua drejtësi për vrasjen e djalit. Gruaja ime është e sëmurë, shpesh e mbyll në dhomë, se kam frikë mos i ndodh diçka. Djalin ma vranë me 27 thika, u them këtyre çunave mua vetëm një thikë më duhet, që të shkoj tek im bir. Dua që këta dy çunat të marrin atë që meritojnë asnjë ditë më shumë. Çdo ditë rri në shkallë dhe pres djalin, por ai nuk vjen, më kuptoni dhe mua, ju i përqafoni fëmijët tuaj. Unë pres që djali të më kërkojë lekë për cigare”, tha babai i Regis Runajt në sallën e gjyqit.