Detaje të tjera tronditëse janë zbardhur ditë pas vdekjes tragjike të Zhaneta dhe Anisa Josifit. Blerta Josifi, 34-vjeçarja e vetme e mbijetuar ka pohuar se pas vdekjes së të motrës, nënë e bijë po prisnin ringjalljen e saj.
Sipas Abc News, gjatë dëshmisë së saj, Blerta ka pranuar se ajo bashkë me të ëmën dhe motrën kanë qenë praktikante dhe Dëshmitare të Jehovait që prej moshës 18-vjeçare. Ato gjithashtu kanë frekuentuar Kishën Ungjillore prej kohësh.
Sipas deklaratës së Blertës, të trija ishin shkëputur nga këto rreth dy vite më parë.
“Pasi ndërroi jetë Anisa, prisnim ringjalljen e saj. Ato që lexonim në Bibël ia bënim motrës. Kishim besim tek ringjallja e saj. Nëna dhe unë kishin gati 40-45 ditë që nuk ushqeheshim. Pinim vetëm ujë. Edhe atë e merrnin nga çezma dhe e kullonim”, është shprehur Blerta.
Ekspertiza ka konstatuar së fundmi se shkaku i vdekjes së Zhanetës dhe Josifit ka qenë mosushqyerja e qëllimshme deri në sakrifikim të jetës.
Në shtëpinë e tyre janë gjetur dhe sekuestruar dy Bibla si dhe fleta të tjera të vogla me shkrime dore.
Sipas ekspertit, në këto copa letrash janë gjetur thënie të shkëputura nga të dyja Biblat. Në disa prej tyre shkruhej për Besimin dhe Ringjalljen. Ndërsa në disa letra të tjera, lutjet dhe veprimet që nënë e bijë u kishin bërë Anisës.
Sipas dëshmisë së Blertës, por edhe në sajë të veprimeve të policisë, hetimet kanë zbuluar se në banesën e tyre nuk ka hyrë ndonjë person i dyshimtë apo i ndonjë anëtar prej këtyre dy sekteve fetare.
Në momentin që policia dhe zjarrfikësja hyri në banesën e tyre mbrëmjen e 2 Korrikut dhe nëpërmjet dritares së tualetit, kanë vërejtur se dera e jashtme e banesës ishte e izoluar nga brenda me disa litarë.