Sport Dëshmia tronditëse e njeriut që nxori Antonio nga Ferrari i shkatërruar: Nuk...

Dëshmia tronditëse e njeriut që nxori Antonio nga Ferrari i shkatërruar: Nuk iu besoja syve

Michail Antonio ka shpëtuar për mrekulli. Një person që u afrua pranë makinës së futbollistit, të shkatërruar nga një aksident i rëndë, e përshëndeti me një gjest për të kuptuar nëse ishte ende gjallë. Ferrari, me të cilën udhëtonte sulmuesi i West Ham të shtunën e kaluar, ishte pothuajse e shkatërruar: pjesa e përparme ishte dëmtuar rëndë, xhami i pasëm ishte thyer dhe shtrembëruar, ndërsa ana e djathtë ishte çarë nga përplasja.

Dëshmia e personit që e gjeti Antonion në makinë

“Nuk mund t’u besoja syve. I thashë: ‘Përshëndetje…’ për të parë nëse shoferi ishte ende gjallë. Por ai nuk u përgjigj menjëherë,” rrëfen Samuel Woods, personi që, ndërsa shëtiste qenin në pyllin Epping (Essex), u ndesh me makinën e shkatërruar që kishte dalë nga rruga.

“Kishte një erë të fortë benzine,” vazhdoi ai. Nuk dëgjoi asnjë zë apo ndonjë shenjë të dhimbjes njerëzore dhe mendoi për më të keqen. Kur pa Antonion të zhvendosur nga sedilja e shoferit në atë të pasagjerit, mendoi me vete: “Është në telashe të mëdha.” Antonio kishte mbetur i bllokuar mes llamarinave për rreth 45 minuta, derisa zjarrfikësit arritën ta nxirrnin nga makina dhe paramedikët i dhanë ndihmën e parë gjatë transportit urgjent për në spital.

Në gjendje shoku: “Ku jam?”

Lëndimet e pësuara nga sulmuesi ishin të rënda: ai iu nënshtrua një operacioni për frakturat e këmbës që kishte marrë nga aksidenti. Klubi konfirmoi se nuk është në rrezik për jetën, por mbetet nën vëzhgim të rreptë, pasi gjendja e tij mbetet e ndërlikuar.

“Kam dëgjuar sirenat dhe i thashë se ndihma po vinte, por Antonio ishte aq i trullosur dhe në gjendje shoku sa nuk e kuptonte as çfarë i kishte ndodhur. Vazhdonte të pyeste: Ku jam? Çfarë po ndodh? Në çfarë makine jam?” tha Woods.

Antonio dukej plotësisht i çorientuar. “E gjeta në anën e pasagjerit. U përpoqa t’i tregoja për aksidentin, por ai vazhdonte të shikonte përreth, duke u përpjekur të kuptonte çfarë kishte ndodhur.”

Lojtari u transportua me helikopter në spital, ku shmangu rrezikun për jetën, por dëmtimet në trup kanë qenë të shumta.

Sipas “The Guardian”, futbollisti i Premier League, do i nënshtrohet një operacioni për thyerjen e këmbës dhe si pasojë e kësaj do të jetë jashtë futbollit për të paktën një vit.

Gjithashtu, raportohet se 34-vjeçari mund të tërhiqet nga futbolli i luajtur, por një vendim për këtë, do e marrë në muajt e ardhshëm.

Por ajo që ka rëndësi tani është se është gjallë.