Sot është zhvilluar një tjetër seancë në GJKKO për çështjen e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri. Gjykata i ka rrëzuar Belerit kërkesën për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka dhe të të gjithë trupës gjykuese nga shqyrtimi i dosjes.
Po ashtu ka dhënë dëshminë e tij Arsen Rama, i cili është personi që ka denoncuar blerjen e votave nga Beleri para ditës së zgjedhjeve lokale të 14 Majit. Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka kërkuar që dëshmia e tij të jetë mëse diskrete dhe pasi GJKKO e pranoi seanca është zhvilluar me dyer të mbyllura, ndërsa dëshmitë e tjera do jenë të hapura. Sipas prokurores Dorina Bejko, Arsen Ramës i është dëmtuar makina e tij dhe e bashkëjetueses në Vlorë. Rasti është referuar nga policia e këtij qyteti.
Një tjetër seancë për Belerin u zhvillua në Gjykatën e Lartë ku pritej të merrej një vendim nëse atij do i jepet leja e posaçme për t’u betuar si kryebashkiak. Gjykata e Lartë e ka refuzuar shqyrtimin e kërkesës pasi sipas saj është kompetencë e GJKKO-së. Vendimi u mor në Dhomë Këshillimi nga gjyqtarët Sandër Simonaj, Sokol Binaj dhe Ilir Panda.
Kujtojmë se Gjykata e Posaçme e ka refuzuar njëherë këtë kërkesë më 26 Qershor të këtij viti.
Beleri ndodhet pas hekurave që prej 12 Majit. Ai u arrestua dy ditë para zhvillimit të zgjedhjeve lokale nga të cilat doli fitues me diferencë të vogël votash, në përballjen me socialistin Jorgo Goro.