Sport “Dëshmor i fushës së blertë”, Meta dekoron Roza Haxhiun

“Dëshmor i fushës së blertë”, Meta dekoron Roza Haxhiun

Presidenti Ilir Meta dekoroi në një ceremoni solemne futbollistin e shquar të Lushnjës dhe të ekipit kombëtar, Abdurrahman Roza Haxhiu (pas vdekjes) me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”.

Kreu i Shtetit nderoi futbollistin lushnjar, me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi për kontributet e jashtëzakonshme në zhvillimin e futbollit në qytetin e Lushnjës dhe lojën e tij të paharruar si lojtar i Ekipit Kombëtar.

Një futbollist me aftësi të shkëlqyera, ‘dëshmor’ i fushës së blertë, një sportist model, i cili u bë shembull frymëzimi për futbollistët e rinj”.

“I dalluar si mesfushor me vizion të gjerë, i papërtuar, i shkathët, teknik, me një diapazion të gjerë për lojën, e mbi të gjitha, me një shpirt tepër të madh, Roza Haxhiu, luajti edhe për Ekipin Kombëtar, ku u dallua për teknikën dhe cilësitë e tij, duke u kthyer në një simbol të futbollit tonë.

Shembulli dhe virtuoziteti i tij, kanë mbetur në kujtesën e sportdashësve tanë dhe është shkruar me gërma të arta në historinë e sportit tone”, shkruan presidenti Meta.