Bota Dështon rrëzimi i shtatores së “heroit” të Trump, Presidenti: Iu pret burgu

Dështon rrëzimi i shtatores së “heroit” të Trump, Presidenti: Iu pret burgu

Protestues të ndryshëm lidhën me zinxhirë shtatoren e ish-Presidentit amerikan Andrew Jackson të hënën në mbrëmje në parkun “Lafayette” në Uashington, në përpjekje për ta rrëzuar atë, pasi e konsiderojnë si racist.

Protestuesit u përleshën me Policinë në kryeqytetin amerikan, ndërsa Presidenti Donald Trump paralajmëroi se do të kërkojë dënim të ashpër për ata që donin të rrëzonin shtatoren. Ai tha gjithashtu se disa persona ishin arrestuar me akuzën e vandalizmit të statujave.

“10 vite burg sipas ligjit të Ruajtjes së Memorialëve të Veteranëve. Kujdes!”, shkroi Trump në rrjetet sociale.

Andrew Jackson ka shërbyer si Presidenti i 7 i Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga viti 1829 deri në vitin 1837. Ai është shënjestruar nga protestuesit kundër racizmit pasi ka qenë skllavopronar. Por Jackson është edhe një prej presidentëve të preferuar të Donald Trump, i cili mban në zyrë një portret të tij.

Jackson ishte president për dy mandate, nga 1829 deri në vitin 1837 me karakteristika populiste, e kjo është arsyeja pse ai ndonjëherë është krahasuar me Trump.

Statuja e famshme e bronzit është e fundit në një seri monumentesh që protestuesit në të gjithë Shtetet e Bashkuara janë përpjekur të shkatërrojnë pasi afrikano-amerikani George Floyd vdiq gjatë një arrestimi policor në fund të majit, duke u bërë shkak për një zemërim të paprecedent. Këto janë monumente të figurave historike që protestuesit i konsiderojnë raciste ose të lidhur me skllavërinë.

Protestuesit më së shpeshti shënjestruan monumente për gjeneralët e Konfederatës, por dhe statujat e Kristofor Kolombit u shkatërruan, ndërsa në San Francisko të shtunën, protestuesit rrëzuan një monument për gjeneralin e Unionit Ulysses Grant dhe shenjtin mbrojtës të San Franciskos, Shën Juniper.