Këshilli Politik u rikthye sërish këtë të hënë, ku në tryezë ishin dy çështje, koalicionet parazgjedhore dhe hapja 100% e listave, kërkesa këto të bëra nga opozita jashtë parlamentit dhe që konsiderohen të panegociueshme.
Megjithatë, edhe mbledhja e kësaj të hëne, e cila ishte e para pas pushimeve të verës, nuk ka prodhuar asnjë rezultat dhe palët vijojnë të jenë në të njëjtat pozicione.
Pas takimit, Bylykbashi dhe Vasili u shprehën se opozita propozon të merret mendimi i OSBE/ODIHR për çështjen e koalicioneve.
“Një çështje që ka funksionuar prej 17 vitesh dhe nuk ka pasur problem. Gjithashtu, u kërkua hapja 100% e listave. Ne kërkojmë që zgjedhësit të votojnë të lirë. Mazhoranca kërkon t’u heqë zgjedhësve mundësinë për lista 100% të hapura, si dhe të zgjedhin lirisht partinë që duan. Këto janë qëndrime diametralisht të kundërta. Ne për çështje që nuk kemi dakordësi kemi të drejtën t’i drejtohemi OSBE/ ODIHR”, tha Bylykbashi, përfaqësuesi i PD-së.
Ndërkohë, kërkesa e opozitës nuk u pranua nga Partia Socialiste. “PD-së i është bërë një favor i madh me Këshillin Politik, sepse nuk është në Kuvend. PD kërkon që të bllokojë implementimin e ndryshimeve kushtetuese, kërkon të fusë vendin në krizë. Shumë rekomandime të ODIHR janë përmendur, për shkak të pretendimeve të opozitës jashtë-parlamentare. Duhet të punojmë mbi drafte ligjore. Ekspertët do paraqesin draftin teknik”, u shpreh pas takimit Damian Gjiknuri.