Kanë dalë të tjera detaje në lidhje me incidentin në ditën e parë të janarit, ku mbeti i plagosur rëndë aktori hollivudian. Mësohet se Jeremy Renner u shtyp nga borëpastruesi i tij, ndërsa përpiqej të shpëtonte nipin e tij. Këto detajet të reja që kanë dalë nga një raport i Zyrës së Sherifit të Qarkut Washoe, mbi aksidentin tragjik në të cilin mbeti i plagosur rëndë ylli i “Avengers”.
Aktori po përdorte mjetin e rëndë për të larguar nga bora kamionin e nipit të tij të bllokuar nga bora, kur automjeti filloi të rrëshqiste anash. Në atë moment Renner u hodh poshtë, “pa aktivizuar frenimin e emergjencës”, thuhet në raport. Mirëpo, kur kuptoi se mund të kishte goditur nipin e tij, ai u përpoq të ngjitej përsëri, për të ndaluar ose devijuar mjetin.
Megjithatë, për t’u rikthyer në kabinë, Renner-it iu desh të ngjitej në pistën e saj lëvizëse dhe “u zvarrit menjëherë”, siç thuhet në raport. Makina shumë e rëndë që peshonte pothuajse 6500 kg më pas kaloi mbi të, duke i shtypur gjoksin dhe duke shkaktuar shumë lëndime të rënda në një këmbë.
Makina e borës vazhdoi rrugën, duke e lënë aktorin pa ndjenja në tokë, ana e djathtë e gjoksit u shemb dhe pjesa e sipërme e bustit u shtyp. Nipi i tij dhe të tjerët nxituan menjëherë dhe u përpoqën ta ndihmonin derisa të mbërrinte personeli mjekësor.
Renner, i cili luan superheroin Hawkeye në filmin Marvel, theu më shumë se 30 kocka, tha ai në një postim të shpërndarë javën e kaluar pasi doli nga spitali.