Zbardhen detaje të reja lidhur me vrasjen e mbrëmshme në zemër të Tiranës, pranë sheshit “Wilson”.
Jurgen Kurti, i njohur ndryshe edhe si menaxheri i VIP-ave mbeti i vrarë rreth orës 22.00 pranë banesës së tij, në një ekzekutim mafioz.
Sipas “News 24”, në vendin e ngjarjes policia ka sekuestruar nën cilësinë e provës materiale 23 gëzhoja pistolete, çka tregon se Kurtit i është bërë një atentat i mirëmenduar, ndërsa po kthehej në këmbë për në shtëpinë e tij.
Dyshohet se autorët janë dy persona, të cilët e kanë qëlluar nga një makinë tip Benz ngjyrë gri në lëvizje dhe më pas janë larguar me shpejtësi, duke përfituar edhe nga errësira.
Policia ka mundur të sekuestroje edhe kamerat e sigurisë, të cilat janë të shumta për shkak të numrit të lartë edhe të bizneseve në këtë zonë, ndërsa janë shoqëruar deri tani 10 persona, përfshirë edhe familjarë të Agim Arapajt në Durrës.
Ky i fundit u vra në 2017-ën, ngjarje për të cilën u akuzua si i përfshirë 26-vjeçari Kurti, por arriti t’i shpëtonte burgut dhe u cilësua si i pafajshëm nga drejtësia.
Deri tani, policia po heton si pistë kryesore hakmarrjen, lidhur me ngjarjen e dy viteve më parë, por nuk përjashtohen edhe pista të tjera.