Autoritetet italiane kanë arrestuar Claudio Campiti-n, për masakrën e trefishtë të ndodhur të dielën në një lokal në Romë. Viktimë nga ngjarja e rëndë mbetën 3 gra, ndërsa 4 persona të tjerë u plagosën rëndë. Bëhet fjalë për 2 gra dhe 2 burra, (të moshave 80 dhe 50 vjeçe, 67 dhe 65 vjeç), të cilët ndodhen në spital. Sipas asaj që shkruan ANSA, pas ngjarjes së rëndë dyshohet se fshihen konfliktet për pronën.
Vendi ku ndodhi ngjarja ishte rezervuar për të organizuar mbledhjen nga Konsorciumi Valleverde, një organizatë një menaxhon vilat në zonën e liqenit të Turanos, që përdoren si shtëpi të dyta nga anëtarët e konsorciumit.
Autori i dyshuar i ngjarjes, nxori pistoletën dhe qëlloi për vdekje Sabina Sperandio, Elisabetta Silenzi dhe Nicoletta Golisano. Kjo e fundit mësohet se ishte mikeshë e kryeministres së Italisë, Giorgia Meloni.
57-vjeçarit, përveç armës së krimit iu gjetën edhe 170 fishekë, ashtu sikurse edhe një tjetër karikator. Ai mësohet se qëlloi të paktën 7-8 herë. Në momentin kur ndodhi ngjarja Claudio Campiti kishte me vete pasaportën, disa veshje dhe 6 mijë euro. Dyshimet janë se pas krimit ai planifikonte të arratisej.
Dëshmitë
“Iu hodha përsipër dhe e bllokova”. Kështu mësohet të ketë rrëfyer 67-vjeçari, i cili arriti të neutralizojë Claudio Campiti-n.
Nga spitali ku po merr ndihmë mjekësore pasi mbeti i plagosur, duke kujtuar momentet dramatike të të shtënave, ai kujtoi: “Qëlloi herën e parë, më pas të dytën, duke vrarë personin e dytë. Më pas qëlloi gruan e tretë. Unë isha i katërti, por ndërhyra”.
“Hyri në sallë, mbylli derën dhe nisi të ulërinte, do ju vras të gjithëve, e nisi të qëllojë”, tregoi një dëshmitar që ishte prezent.
“Provova me iu hedh sipër, por të tjerët ishin hedhur para meje. Kishte bllokuar derën kështu që u desh pak për të nxjerrë njerëzit jashtë. Nëse nuk do kishte qenë për ne, do të kishte qenë një masakër e vërtetë. Kishte 2 karikatorë të tjerë me vete dhe fishekë të tjerë. Pashë një vajzë krah meje që u qëllua dhe vdiq”, tregoi një tjetër dëshmitar.
“Ishte një anëtar i konsorciumit, i njohur nga të gjithë dhe në të shkuarën kishte bërë kërcënime verbale”, shton një tjetër dëshmitar për ANSA-n. Sipas tij, Claudio Campiti qëlloi në drejtim të administratës së konsorciumit.
“Mirë se vini në ferr. Në këtë shtet Kodi Penal shkon në tualet. Të bësh denoncim është kohë e humbur, janë të gjithë hajdutë”. Kështu shkruan Campiti në blogun e tij, dedikuar Kosorciumit Valleverde. Postimi mban datën 2 Nëntor 2021. Në të ka një listë shumë të gjatë akuzash për anëtarët e tjerë të konsorciumit, pretendime për përfshirje të “mafias” dhe fjali si “po më mbajnë pa ndriçim publik dhe dihet që në errësirë sheh më pak dhe mund të qëllosh në qetësi”.
Mbi 57-vjeçarin rëndojnë të paktën 2 akuza të rënda, vrasje me paramendim dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake.