Dy të vrarë dhe dy të plagosur është bilanci i një atentati me armë zjarri që ndodhi mesditën e sotme në lagjen e ish-“5 Heronjve” në Shkodër.
Mësohet se është qëlluar në lëvizje në drejtim të një automjeti tip “Benz” me targa kroate të qytetit të Splitit.
Policia ka konfirmuar deri më tani dy viktima. Një prej viktimave është shtetasi Hamza Lici, vëllai i të njohurit si “i forti” i Shkodrës, Ibrahim Lici, ndërsa ka ndërruar jetë edhe një grua që ka qenë duke kaluar rrugën në momentin kur është qëlluar me armë.
Sa i përket të plagosurve, ndodhet në gjendje të rëndë në spital Arlind Bushati, djali ish-kandidatit të Partisë Demokratike për bashkinë e Shkodrës, Xhemal Bushati.
Po ashtu ka mbetur i plagosur edhe një burrë, i cili ka qenë kalimtar dhe nuk është identifikuar ende.
Forca të shumta policie dhe disa ambulanca ndodhen në vendngjarje dhe grupi hetimor ka nisur hetimet për të zbardhur atentatin me 2 të vdekur.