Zbardhen përgjimet dhe kodet që përdornin anëtarët e grupeve që shpërndanin kokainë, heroine dhe kanabis në afërsi të shkollave dhe lokaleve të Tiranës. Sipas Tv Klan, pas qindra orëve përgjimesh dhe vëzhgimesh u zbulua se për kokainën kodi ishte ‘pluhur zane’, që dyshohet se vinte nga Fushë Kruja.
Kode të tjera ishin edhe ‘vëllai i madh’, kur bëhej fjalë për sasi të madhe kokaine dhe ‘vëllai i vogël’ kur ishte sasi më e vogël, si 0.5 gramë apo 1 gramë kokainë.
Për shitjen e kanabisit, raporton gazetari, anëtarët e dy grupeve përdornin kodin ‘seqe’, duke specifikuar përkatësisht edhe sesa qese shisnin. Pjesa më e madhe e kanabisit shitej pranë shkollës “Petro Nini”. Një nga të arrestuarit, Dorjano Çela ishte personi që kishte siguruar klientët në këtë gjimnaz.
Në këtë aktivitet ishin edhe tre vajza, ku një prej tyre ndodhet në kërkim dhe rezulton sipas sistemit TIMS dhe është larguar në Itali më datë 14 mars, një javë para operacionit.
Shtrirja e aktivitetit të tyre ishte e ndarë në 11 zona të ndryshme duke përfshirë këtu 28 lagje.
Anëtarët e grupeve ndaheshin në nëngrupe të vogla me 2, 3 apo 4 anëtarë. Numri më i lartë, me 4 anëtare ishte në zonën e Bllokut dhe të Kombinatit dhe Yzberishtit.
Një ditë më parë, policia e Tiranës njoftoi arrestimin e 20 personave dhe shpalljen në kërkim të 4 të tjerëve. Bëhej fjalë për 2 grupe që shisnin droga të llojeve të ndryshme të cilët u vunë në pranga pas 3 muaj hetimesh. Që policia të mos binte në gjurmët e policisë ata komunikonin me kode dhe përdornin transport publik.