Gjermania është tronditur nga një ngjarje e rëndë e ndodhur mbrëmjen e sotme në tregun e Krishtlindjeve në Magdeburg, ku një makinë ka hyrë me shpejtësi duke marrë përpara turmën e njerëzve.
Zëdhënësi i qeverisë Matthias Schuppe ka konfirmuar se të dhënat e para tregojnë për një sulm.
Ngjarja ndodhi në orën 19:04. Automjeti i përfshirë mësohet të jetë “BMW”, me ngjyrë të errët, drejtuesi i së cilës është arrestuar menjëherë më pas.
Si pasojë e sulmit numri i të plagosurve është i lartë, ndërsa deri më tani janë konfirmuar 11 viktima.
Pamjet e kamerave të sigurisë janë tepër të rënda dhe tregojnë makinën që fluturon në drejtim të tregut të Krishtlindjeve duke shpërndarë njerëzit që godet në drejtime të ndryshme.
#BREAKING A car drove through a Christmas market in Magdeburg, Germany, killing 11 people and injuring 60 others. pic.twitter.com/Qy3XBpAIRz
— Clash Report (@clashreport) December 20, 2024
Tregu i Krishtlindjeve u mbyll dhe është rrethuar nga forca të shumta policie dhe dhjetëra ambulanca, ndërsa autoritetet kanë bërë thirrje që njerëzit të largohen nga qendra e qytetit.
“Për shkak të ngjarjeve aktuale, dëshirojmë t’ju këshillojmë të shmangni tregun e Krishtlindjeve. Ju lutemi lërini shërbimet e urgjencës të bëjnë punën e tyre dhe largohuni nga tregu në mënyrë të rregullt!”, thuhet në një njoftim.
Sipas të përditshmes gjermane “Bild”, ajo që ndodhi në Magdeburg ishte një akt terrorist. Gazeta gjermane sqaron se ka marrë konfirmim nga zëdhënësi i qeverisë rajonale të Saksoni-Anhalt, Matthias Schuppe.
Kryeministri i rajonit Saksoni-Anhalt, Reiner Haseloff reagoi për ata që ndodhi në tregun e Krishtlindjeve në Magdeburg duke thënë se është ngjarje e tmerrshme.
“Kjo është një ngjarje e tmerrshme, veçanërisht tani në ditët para Krishtlindjeve”, tha Haseloff, duke shtuar se ishte nisur me makinë drejt Magdeburg.
Siç raporton “Mitteldeutsche Zeitung”, qyteti i Halle ka shtuar masat e sigurisë për tregun e tij të Krishtlindjeve menjëherë pas sulmit. Spitalet e qytetit, rreth 80 kilometra larg, po përgatiten për të pritur të plagosurit.