Aktualitet Detaje nga vrasja në burgun e Peqinit/ “Arben Lleshi dil jashtë”, Sokol...

Detaje nga vrasja në burgun e Peqinit/ “Arben Lleshi dil jashtë”, Sokol Mjacaj e qëlloi në qeli pasi e thirri në emër

Një ngjarje e rëndë ndodhi sot në burgun e sigurisë së lartë në Peqin, ku i burgosuri Arben Leshi u ekzekutua me armë zjarri nga Sokol Mjacaj. Nga kjo ngjarje mbeti i plagosur edhe Indrit Shaqja. Të tre personat e përfshirë janë të dënuar me burgim të përjetshëm.

Sipas raportimeve mediatike, vrasja ka qenë e planifikuar. Arben Lleshi është ekzekutuar me tre plumba në momentin që ka qenë në qelinë e tij.

Sokol Mjacaj ka shkuar në Godinën B, në seksionin 2 të posaçëm. Fillimisht ai e ka thirrur. “Arben Lleshi dil”, ka thënë ai. Pasi Lleshi ka dalë nga dera e qelisë, ai e ka qëlluar me tre plumba.

Nga ana tjetër, Indrit Shaqja ka qenë në afërsi të ngjarjes dhe është plagosur aksidentalisht në këmbë.

Ai është dërguar në spital ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Pas vrasjes, Mjacaj është izoluar në një ambient brenda burgut dhe ka kërcënuar se do vriste njerëz nëse nuk i garantohej siguria për jetën

Sokol Mjacaj nuk ka pranuar që të dorëzohet deri në momentin kur atje ka vajtur drejtori i Burgut të Peqinit.

Më pas kanë nisur negociatat mes palëve. Sipas burimeve, Mjacajt i janë hedhur prangat brenda në qeli. Ai ka lidhur me pranga njërën dorë dhe prangën tjetër e ka me hekurat e dritares.

Më pas Sokol Mjacaj ka hedhur pistoletën me mulli që kishte në dorë. Pasi ka larguar armën kanë hyrë Policia e Burgjeve, që kanë bërë arrestimin e tij.

Sipas ligjit brenda në burg nuk mund të ndërhyjë RENEA, por strukturat e specializuara në IEVP.

Kujtojmë se nga kjo ngjarje ka mbetur i plagosur aksidentalisht edhe Indrit Shaqja, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Të tre të përfshirët në këtë ngjarje janë të dënuar me burgim të përjetshëm.

Tashmë pritet që autoritetet që të zbulojnë dinamikën dhe shkaqet e plota pas kësaj ngjarjeje të rëndë ku Sokol Mjacaj, i dënuar me burgim të përjetshëm dhe brenda një institucioni të vuajtjes së dënimit të sigurisë së lartë kreu ekzekutimin e Lleshit.