Aktualitet Detaje nga vrasja në Rrëshen/ Biznesmeni u qëllua sapo ishte ndarë me...

Detaje nga vrasja në Rrëshen/ Biznesmeni u qëllua sapo ishte ndarë me vëllain, 6 të shoqëruar

Një ditë pas vrasjes në Rrëshen të biznesmenit Kastriot Reçi, policia ka shoqëruar 6 persona, por nuk ka ende asnjë të ndaluar.

Personat e shoqëruar po merren në pyetje rreth ngjarjes. Policia vijon kontrollet në zonë në lidhje me autorët të cilët dyshohet se kanë qenë dy persona. 47-vjeçari sipas hetimeve është qëlluar me snajper nga një distance 150 metra.

Në momentin e ngjarjes viktima ka qenë së bashku me të vëllain dhe sapo kishin parkuar makinën e po hynin në lokalin ‘Mirdita’ në pronësi te tyre. I vëllai kishte hyrë pak disa sekonda më para.

Pistat

Arma snajper është gjetur pas krimit në katin e parë të pallatit. Vrasja dyshohet të ketë ndodhur me motiv hakmarrjen, për shkak të një historie vrasjesh mes fiseve me influencë në Rrëshen, e nisur në shtator 2016.

Pjesë e ciklit të vrasjeve është edhe ajo e vëllait të Kastriotit, Gaspër Reci, i vrarë me 4 plumba në banesën e tij në Romë vitin 2017. Bashkëshortja e viktimës e pyetur nga policia ka thënë se nuk kishin konflikte.

“Policia po shikon mundësinë e bashkëpunëtorëve sepse për të arritur deri në tarracë duhet të ketë pasur nevojën e tyre, ka një problematikë tjetër që një pjesë e kamerave të sigurisë nuk punojnë duke krijuar kështu më tepër vështirësitë për zbardhjen e ngjarjes”, raporton gazetari Gjergj Figuri i Abc News.

Gjithashtu bën me dije se Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka kërkuar menjëherë zbardhjen e ngjarjes nga drejtuesit e policisë duke i vendosur kështu nën presion për gjetjen e autorit.