Tre personat që mbetën të vrarë mbrëmë kishin pak ditë që kishin ardhur për festat në Shqipëri.
Endrit Alibej (Dylgjeri) jetonte në Holandë, xhaxhai i tij Arben Dygjeri ishte emigrant në Angli dhe rezulton pa precedent, ndërsa turku Erdal Durunay dyshohet bashkëpunëtor i Endritit.
Sipas Report TV, shënjestra e atentatit ka qenë Endrit Alibej, pasi bashkë me të vëllanë Andrea Alibej ishin drejtuesit e një grupi kriminal të goditur në 2013 në Itali, ku u arrestuan 34 persona, mes tyre 12 shqiptarë, ndërsa u sekuestrua kokainë me vlerë 10 mln euro. Nuk dihet se si Alibej ka mundur ti shpëtojë drejtësisë italianë me vetëm 5 vite burg.
Por si ndodhi vrasja mbrëmë?
Endrit Alibej me xhaxhanë e tij Arben Dylgjeri dhe turku së bashku me familjarët e tyre kishin qenë në një fshat të Peqinit për të darkuar.
Në momentin që kanë dalë nga restoranti (tre viktimat ishin në një makinë) janë drejtuar për në qytetin e Elbasanit së bashku me dy makinat e tjera ku kanë qenë 5 gra, mes tyre njëra shtatzënë dhe 3 fëmijë. Autorët i kanë ndjekur rrugës nga Peqini në Elbasan dhe në afërsi të Kombinatit Metalurgjik në Bradashesh i kanë bërë pritë makinës duke i qëlluar me breshëri. Pas të shtënave, automjeti ku ndodheshin shqiptarët bashkë me turkun ka humbur kontrollin dhe është përplasur me rrethimin e një restoranti. Kanë qenë familjarët vetëm pak metra larg vendit ku ndodhi krimi që janë përballur të parët me ngjarjen e rëndë.
Ata i kanë dërguar në spitalin e Elbasanit, por asnjëri prej tre personave nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të marra, pasi ishin qëlluar edhe në kokë dhe humbën jetën në vend.
Autorët mendohet se janë vrasës me pagesë duke parë dinamikën e ngjarjes. Nuk dihet sa persona kanë marrë pjesë në vrasje dhe sa automjete kanë përdorur, ndërsa u raportua se janë larguar në drejtim të fshatrave të Peqinit. Shkak i ekzekutimit ka qenë përplasja për pazaret e drogës.