Kosova u trondit nga një krim i rëndë në familje këtë të martë. Një efektive policie vrau në Gjilan 4 pjesëtarë të familjes së saj dhe më pas edhe veten. Ngjarja ndodhi rreth orës 13.00 në lagjen “Bujanina”.
Punonjësja e policisë, Valdete Bllaca qëlloi mbi dy prindërit dhe dy vëllezërit e saj dhe më pas u vetëvra. Autorja e këtij krimi të rëndë ishte pezulluar më herët nga puna për shkak të disa problemeve mendore. Ajo ishte rikthyer në punë, por si pjesë e stafit civil. Prokurori i rastit Arben Kadriu, tha se vrasja ka ndodhur me armën zyrtare.
Në vendin e ngjarjes mbërritën forcat e policisë dhe prokurorët, ndërsa trupat e Viktimave u dërguan në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë ku do te kryet edhe autopsia. Kryetari i komunës së Gjilanit Lutfi Haziri tha se qyteti dhe Kosova janë të tronditur nga kjo tragjedi e pesëfishtë në familje dhe propozoi shpalljen e një dite zie.
Sipas fqinjëve të familjes Bllaca, dyshohet që shkaku i këtij krimi në familje mund të jetë një çështja e pronësisë së banesës. Me herët familjarët kishin pasur mosmarrëveshje për lëshimin me qira ose shitjes së shtëpisë, dhe kjo mendohet se ka sjellë edhe këtë tragjedi në familjen Bllaca. Por familjarët e 5 vrarëve kanë deklaruar se nuk kanë qene ne dijeni që ata të kenë pasur mosmarrëveshje në të kaluarën.