Urdhri i mbrojtjes nuk mundi ta shpëtojë Esmeralda Filopatin dhe vëllain e saj Vledisonin, nga ish-bashkëshorti Fatmir Koleci, i cili u mori jetën të dyve në oborrin e shtëpisë, në fshatin Kodër Rrëshen.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 20 e 40 të së martës. Autori kishte shkuar më herët për të takuar fëmijët, por është penguar nga ish-kunati.
Është kjo arsyeja që dyshohet se ka shtyrë 47-vjeçarin nga Zejmeni i Lezhës të shkojë të marrë armën dhe të priste për të qëlluar mbi ta pasi të ktheheshin nga Rrësheni, ku 36-vjeçarja punonte si shitëse.
Menjëherë pasi i ka qëlluar, Koleci është larguar nga vendi i ngjarjes ndërsa forcat RENEA, FNSH dhe policia e Lezhës vijojnë operacionin për kapjen e tij.
Policia e Lezhës ka vënë në dispozicion 5 milionë lekë për këdo që jep informacion të vlefshme që do të çojnë në zbulimin e vendndodhjes.
Fatmir Koleci ka qenë i dënuar për dhunë në familje dhe armëmbajtje pa leje. Ai ishte lënë i lirë rreth 1 vit më parë, por debatonte vazhdimisht me ish-bashkëshorten për të takuar më shpesh 3 fëmijët e tyre.