Aktualitet Detajet: Atentati në Milot, viktima dhe i plagosuri i kishin shpëtuar dy...

Detajet: Atentati në Milot, viktima dhe i plagosuri i kishin shpëtuar dy atentateve

Një person është vrarë dhe një tjetër ka mbetur i plagosur në një atentat të ndodhur në qendër të qytetit të Milotit mbrëmjen e së premtes rreth orës 21:00.

Viktima është Klisman Preçi 27 vjeç dhe i plagosuri Ylli Brahimi 46 vjeç. Të dy u dërguan në Spitalin e Traumës në Tiranë, por 27-vjeçari Preçi ndërroi jetë në spital. Kurse Ylli Brahimi ka marrë plumba në brinjë dhe në këmbë.

Të dy këta persona nuk janë emra të panjohur si për autoritetet policore, ashtu edhe për publikun.

Në Janar të 2021, Ylli Ibrahimit i bënë një atentat me armë zjarri po në Milot. Ai mbeti i plagosur në këmbë, pasi u qëllua nga dy persona që udhëtonin me motor.

Ndërsa Klisman Preçit iu bë atentat më 14 Maj të këtij viti, në Ishull Lezhë. Ai udhëtonte me makinë së bashku me kushëririn e tij Blerim Preçi kur rreth orës 20:05 është qëlluar me breshëri plumbash nga një automjet tjetër. Dy kushërinjtë i shpëtuan plumbave. Në këtë rast dyshohej se shënjestër e sulmit me armë ishte Blerim Preçi.

Sa i përket ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e kësaj të premteje, për momentin nuk ka ende detaje. Në vendngjarje kanë shkuar forcat e policisë për të zbardhur krimin.