Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka njoftuar se për personat e sëmurë, të cilët duan të rikthehen në Shqipëri, përmes procesit të riatdhesimit, të nisur nga Qeveria Shqiptare, do të ketë një skemë tjetër nga kjo që është prezantuar dhe po realizohet gjatë këtyre ditëve.
Përmes një lidhjeje telefonike në një prej emisioneve televizive, Balluku bëri të ditur se personat, të cilët vuajnë nga sëmundje të ndryshme dhe që e provojnë këtë përmes dokumentacionit të lëshuar nga autoritetet shëndetësore, do të lejohen të karantinohen në banesat e tyre dhe jo në hotelet e përcaktuara, por duke futur në karantinim të gjithë pjesëtarët e tjerë të familjes për 14 ditë.
Ministrja Balluku sqaroi se pas konsultimeve me Ministren e Shëndetësisë, por edhe me grupin e punës ndërministror, i cili po merret me procesin e riatdhesimeve, është vendosur që personat, të cilët vuajnë nga sëmundje të ndryshme do të riatdhesohen dhe pas verifikimeve nga stafet mjekësore për sëmundjen e tyre, do të karantinohen në banesa, së bashku me anëtarët e tjerë të familjes për 14 ditë, duke mos pasur asnjë kontakt me njerëz të tjerë.
Për të realizuar këtë procedurë, familjet duhet të deklarojnë pranimin e kushteve, përmes nënshkrimit të një formulari dhe vetëm pas 14 ditësh dhe verifikimeve të mjekëve ata do të lejohet të lëvizin, duke respektuar masat që janë në fuqi ashtu sikundër pjesa tjetër e qytetarëve. Sipas ministres, familja duhet të marrë masat që një person i afërm apo i njohur, të merret me furnizimet e tyre, duke j’ua lënë jashtë shtëpisë dhe ata nuk do kenë asnjë kontakt me njerëz të tjerë për 14 ditë.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, tha se ky vendim u mor pasi ka pasur disa kërkesa riatdhesimi të shtetasve shqiptarë, të cilët ndodhen jashtë vendit, por vuajnë nga sëmundje të ndryshme.