Policia ka dhënë detaje zyrtare mbi atentatin në Lezhë. Ndërkohë që është zbuluar edhe shënjestra e atentatit.
Persona ende të paidentifikuar dyshohet se kanë qëlluar në drejtim të Blerim Preçit, rreth 30 vjeç, nga Miloti dhe kushëririt të tij, K.Preçi.
Mësohet se Preçi ka ardhur para pak ditësh nga Belgjika në Shqipëri, ndërsa sipas burimeve dyshohet se ka pasur probleme me të shkuarën.
Ngjarja ka ndodhur pranë një lokali pak kilometra larg qytetit të Lezhës. Dy personat në fjalë po lëviznin me makinë, kur u qëlluan po nga një automjet në lëvizje. Sipas policisë, nuk ka persona të lënduar.
“Rreth orës 20:05, në Ishull Lezhë, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një mjeti në lëvizje, brenda së cilit udhëtonin shtetasit B.P. dhe K.P. Për pasojë nuk ka persona të lënduar. Grupi hetimor në vendngjarje po administron çdo provë e të dhënë, për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Janë ngritur pika kontrolli si dhe po bëhet krehja e zonës me qëllim kapjen e autorëve”, tha policia e Lezhës në një informacion paraprak për ngjarjen.