Kryesore Detajet e ekzekutimit të Behar Sofisë, zbardhet dëshmia e 24-vjeçarit të dyshuar...

Detajet e ekzekutimit të Behar Sofisë, zbardhet dëshmia e 24-vjeçarit të dyshuar si autor

Pas prangosjes Ernejt Shyti, 24-vjeçari i dyshuar si ekzekutor i biznesmenit Behar Sofia, është zbërthyer duke rrëfyer për hetuesit detajet si u përgatit dhe u zbatua krimi i 25 shkurtit në zemër të kryeqytetit.

I riu ka treguar se njihej prej vitesh me të arrestuarin tjetër Xhuliani Visha dhe se prej tij i ishte kërkuar të kryente ekzekutimin, me premtimin se do të merrte gati 50 mijë euro.

Sipas Shytit, ka qenë i njëjti që i ka siguruar pistoletën e krimit, si edhe një foto të Behar Sofisë, me të cilin nuk kishte asnjë njohje të mëparshme.

“Unë nuk dija të përdorja armë”, mësohet të ketë treguar ai “dhe për këtë shkak kam shkuar bashkë me Xhulianon në zonën e Krrabës, ku kemi bërë disa herë qitje”.

Në rrëfimin e tij Shyti ka treguar se fillimisht ishte planifikuar që ekzekutimi të realizohej nga Leonard Xhixha, personi që kishte studiuar për ditë me radhë lëvizjet e Sofisë. Por për shkak se mund të shihej me dyshim nga viktima, është ndryshuar plani.

I riu ka sqaruar se kishte vëzhguar lëvizjet e viktimës së bashku me 54-vjeçarin Skënder Vathi. Madje Vathi, i dyshuar si organizator i krimit, një ditë para ngjarjes është filmuar në një bar pranë tavolinës ku qëndronte Sofia.

Në lidhje me momentin e ngjarjes Shyti ka treguar se ishte sinjalizuar me një sms nga një prej të bashkëarrestuarve, që Sofia kishte lëvizur nga kafeneja ku ishte ulur. Ai i është afruar në trotuarin krah Lanës duke e qëlluar tre herë, ku herën e parë nuk i ka shkrepur arma. Më tej është larguar me biçikletë drejt kodrave të Liqenit Artificial ku ka fshehur rrobat dhe biçikletën dhe më vonë ka ikur në zonën e Krrabës, ku jetonte babai dhe vëllai i tij binjak, ndërsa të nesërmen ka udhëtuar drejt Malit të Zi, ku edhe u arrestua dy ditë më parë.

Fillimisht policia ka shoqëruar vëllain, por më tej është provuar se ai nuk kishte lidhje me ngjarjen. Policia dhe Prokuroria ranë në gjurmët e Shytit duke ndjekur itenerarin e lëvizjes së tij dhe gjetur rrobat dhe biçikletën. Më pas kanë mbërritur në Krrabë dhe tek shoku i tij Xhuliano Visha dhe tek dy të tjerët, referuar komunikimeve telefonike dhe antenave ku kishin loguar aparatet e tyre celularë.

Burimi: A2 CNN