Irani i solli si diplomatë, Shqipëria i dëbon si të përfshirë në spiunazh. Nën masa të forta sigurie dhe në sekret të plotë oficerët e Drejtorisë së Antiterrorit dhe SHISH, mbrëmjen e të shtunës, dëbuan diplomatët Mohammad Ali Arz Peimanemati dhe Seyed Ahmad Hosseini Alast.
Burime në dijeni të këtij operacioni dëbimi i thanë Top Channel, se 20 oficerë të Drejtorisë së Antiterrorit, shoqëruan të dy diplomatët sëbashku me familjet e tyre nga apartamentet ku banonin në drejtim të Rinasit.
Disa ditë më parë Ministria e Europës dhe punëve të Jashtme tha se dy diplomatët Iranian, shpallen persona të padëshirueshëm, për shkak të zhvillimit të veprimtarisë në mospërputhje me statusin e tyre.
Mohammad Ali Arz Peimanemati, ishte Konsulli i Ambasadës Iraniane në Shqipëri. Me një të kaluar aspak diplomatike, por i caktuar i tillë, me një qëllim tjetër krejt të kundërt me atë çfarë duhet të bëjë një diplomat. Ai ishte anëtar i njësisë operacionale të inteligjencës së Iranit. “QUDS”.
Seyed Ahmad Hosseini Alast, mbante postin e atasheut kulturor, por me ndihmën e partnerëve ndërkombëtar Drejtoria e Antiterrorit dhe SHISH morën të dhëna se Alast kishte mbajtur poste të larta në Gardën Revolucionare të Republikës Islamike.
Shqipëria shpalli non grata në Dhjetor 2018 edhe Gholamhossein Mohammadnia ambasador i Iranit Shqipëri nën dyshimin se ishte agjent i shërbimeve sekrete iraniane duke e dëbuar.
Të njëjtin fat pati edhe Mostafa Roudaki, një tjetër diplomat ish-sekretar i Ambasadës së Iranit në Shqipëri duke u dëbuar po në dhjetor 2018.
Zv.Ndihmës Sekretari i Shtetit dhe i Dërguari i Veçantë për Ballkanin Perëndimor Matthew Palmer në takimin me ambasadoren e re amerikane Yuri Kim e vlerësoi, si “qëndrimin e guximshëm dhe parimor të Shqipërisë mbi Iranin” dëbimin e dy diplomatëve. Po ashtu edhe DASh përshëndeti dëbimin e tyre nga Tirana./TCH