Vodka e prodhuar me grurë dhe ujë nga Chernobili është cilësuar nga një prej krijuesve të saj si shishja më e rëndësishme ndër pijet alkoolike në botë. Pas katastrofës në Chernobil, në 1986, aksidenti më i rëndë bërthamor në histori, u përcaktua një zonë përjashtimi prej 43 kilometrash katror, përreth impiantit.
Rreth 335 mijë njerëz u detyruan të largoheshin nga zona. Aksidenti bëri që edhe rrethinat të braktiseshin për shkak të niveleve të larta të rrezatimit. Tani, një ekip shkencëtarësh, ka distiluar një vodka, me emrin atomik, që ata shpresojnë se mund të rikthejë zhvillimin ekonomik.
“Prodhimi i vodkës mund të ndihmojë në rimëkëmbjen ekonomike të komuniteteve që jetojnë në dhe përreth zonave të braktisura. Disa mijëra njerëz jetojnë atje ku investimet dhe përdorimi i tokës bujqësore është ende i ndaluar”, thotë Jim Smith, prof Universitetit të Portsmuthit.
Ndërsa një sasi radioaktiviteti është gjetur në grurin e përdorur, vetë pija nuk ka asnjë nivel jo normal rrezatimi, falë prodhimit të distilimit. Alkooli i distiluar, përzihet me ujë mineral nga një depozitë në qytetin e Chernobilit, 10 km në jug të reaktorit dhe ky ujë nuk është i kontaminuar. Ekspertët në Universitetin e Portsmuthit në Angli dhe kolegë në Ukrainë, kanë kryer një projekt kërkimi tre vjeçar për transferimin e radioaktivitetin e të korrave në zonën e përjashtuar të Chernobilit. Ata kanë prodhuar deri më tani vetëm një shishe vodka por duan që të shtojnë prodhimin dhe 75 për qind të fitimeve t’ia kthejnë komunitetit të prekur.