Ish-presidenti dhe kandidati presidencial nga radhët e republikanëve, Donald Trump, i ka shpëtuar një atentati ndaj tij në një tubim të mbajtur në Pennsylvania, teksa autori është neutralizuar, por një person pjesëmarrës ka mbetur i vrarë.
Një ngjarje kaotike e zhvilluar në pak sekonda ka qenë ajo e tubimit të Trump gjatë mbrëmjes së të shtunës (orët e para të mëngjesit në Shqipëri), ku fillimisht, teksa Trump po fliste, u dëgjuan disa të shtëna.
Në një video, e cila qarkulloi menjëherë në mediat tradicionale dhe ato sociale, Trump duket teksa vendos dorën në veshin e djathtë dhe më pas shërbimet sekrete ndërhyjnë duke e shtrirë në tokë dhe duke iu hedhur sipër.
Disa të shtëna të tjera vijojnë të dëgjohen dhe ndalojnë në fragment sekonde.
Trump më pas çohet në këmbë me katër anëtarë të shërbimeve sekrete, të cilët e rrethojnë atë dhe një shenjë demonstrative, i gjakosur në pjesën e djathtë të fytyrës, ngre grushtin lart, duke përjetësuar një shkrepje, e cila bëhet menjëherë faqe e parë e mediave botërore, nën titullin “Trump i shpëton të shtënave në Pennsylvania”.
I nxjerrë jashtë skenës në mënyrë të menjëhershme, ish-presidenti amerikan konfirmohet menjëherë se është plagosur lehtë, por në gjendje të mirë, pa specifikuar asgjë më tej.
Presidenti amerikan, Joe Biden, ndërkaq doli në një konferencë shtypi urgjente.
Ai dënoi ashpërsisht ngjarjen duke deklaruar se në demokracinë amerikane, nuk ka vend për këto lloj aktesh.
Misteri ndërkaq rrethon ngjarjen.
Shërbimet Sekrete amerikane dolën me njoftimin se janë ato, të cilat e kanë neutralizuar autorin e dyshuar të ngjarjes dhe sqarojnë se një person tjetër nga audienca ka mbetur i vrarë.
E gjithë ngjarje ndërkohë, sipas të njëjtit burim, po hetohet si një tentativë e mundshme vrasjeje kundrejt Trump.
Oficeri i FBI-së Kevin Rojek ka konfirmuar se incidenti ndaj ish-presidentit Donald Trump po trajtohet si një atentat.
“Këtë mbrëmje patëm atë që ne e quajmë një atentat ndaj ish-presidentit tonë Donald J Trump”, ka thënë ai.
“Është ende një skenë aktive krimi”, ka shtuar ai, duke theksuar se ata kishin një numër agjentësh në vendngjarje që hetonin incidentin.
I dyshuari për atentatin ndaj Trump është një djalë 20-vjeçar nga Pensilvania: Emri i tij është Thomas Matthew Crooks.
Ai nuk ka precedentë penalë në Pensilvani dhe hetuesit nuk kanë identifikuar ende një motiv.
Në një regjistër shtetëror të votuesve, Crooks e rendit veten si republikan, megjithëse të dhënat e financimit të fushatës federale tregojnë se ai dhuroi 15 dollarë për Projektin Progresiv të Pjesëmarrjes, një grup liberal i pjesëmarrjes së votuesve, nëpërmjet platformës së dhënies së demokratëve ActBlue në janar 2021.
Hetuesit po kontrollojnë shtëpinë e tij në Bethel Park, në jug të Pittsburgh dhe rreth një orë me makinë nga vendi i grumbullimit në Butler.
Sakaq, ekipi i medias britanike BBC ka matur distancën që ka pasur atentatori nga Trump.
Ekipi ka studiuar paraqitjen e tubimit ku Trump po i drejtohej turmës dhe lidhjen midis skenës në të cilën ai po qëndronte dhe ku ishte pozicionuar i armatosuri i dyshuar.
Duke përdorur Google Maps, vija e bardhë që mund të shihni të shënuar në foto mat një distancë prej rreth 130 metra midis dy pikave.
Trump ndërkaq reagoi pas sulmit duke thënë: “Dua të falënderoj Shërbimin Sekret të Shteteve të Bashkuara dhe të gjithë Forcat e Zbatimit të Ligjit, për reagimin e tyre të shpejtë mbi të shtënat që sapo ndodhën në Butler, Pennsylvania. Më e rëndësishmja, dua t’i shpreh ngushëllimet e mia familjes së personit të vrarë në tubim, si dhe familjes së një personi tjetër që u plagos rëndë”.
“Është e pabesueshme që një akt i tillë mund të ndodhë në vendin tonë. Për momentin nuk dihet asgjë për sulmuesin, i cili tashmë ka vdekur. Më qëlluan me një plumb që më shpoi pjesën e sipërme të veshit të djathtë. E kuptova menjëherë se diçka nuk shkonte në atë që dëgjova një fërshëllimë, të shtëna dhe menjëherë ndjeva plumbin të çante nëpër lëkurë. Kishte shumë gjakderdhje, kështu që atëherë kuptova se çfarë po ndodhte”.
Ndërkohë, liderët botërorë kanë reaguar duke e dënuar ashpër sulmin ndaj Trump dhe duke theksuar se nuk ka vend për dhunë politike në demokraci.