Detaje të reja nga vrasja te rezidenca Kodra e Diellit në Tiranë
Detaje të reja janë zbardhur nga vrasja e Briken Sanajt, pas identifikimit të autorit të dyshuar dhe bashkëpunëtorëve të tij. Gazetari i Klan News, Besar Bajraktaraj mëson se shtetasit kosovarë të shpallur në kërkim dyshohen të jenë vrasës me pagesë në Shqipëri dhe Kosovë. Ata i kanë shitur automjetin autorit të dyshuar të kësaj vrasjeje, Valmir Kola në 24 Tetor, 6 ditë para vrasjes.
Gazetari raporton se ata e kanë kaluar mjetin në mënyrë të rregullt në Doganën e Morinës dhe shitjen e kanë bërë në një lokal në Shëngjin. Kjo mësohet se është provuar nga kamerat e sigurisë së lokalit. Më pas makinës i janë mbivendosur targa të vjedhura.
Lëvizjet e Briken Sanajt nga ambientet e një lokali në Shëngjin pas dasmës së shokut të tij, dyshohet se janë sinjalizuar nga një tjetër person, i cili ndodhej gjithashtu në dasmë. Autoritetet mësohet se po punojnë për të kapur pikërisht edhe këtë person, i cili ka luajtur rolin e informatorit të lëvizjeve të viktimës.
Autori i dyshuar, Valmir Kola, mësohet se e ka pritur 2 orë viktimën tek një pemë ulliri pranë garazhit ku do parkohej automjeti. Kola mësohet se ka hyrë ilegalisht në vendin tonë dhe po ilegalisht është larguar jashtë vendit, fillimisht drejt Malit të Zi dhe më pas dyshohet në Belgjikë.
Gjithnjë sipas të njëjtave burime, në kërkim nga policia është edhe vëllai tjetër i tij, Agustin Kola, i cili dyshohet se ndodhet në Spanjë. Ky i fundit dyshohet të ketë patur rol nxitës në ekzekutimin e Sanajt. Në kërkim është edhe një tjetër shtetas kosovar që dyshohet si bashkëpunëtor.
Të mërkurën, policia njoftoi zbardhjen dhe dokumentin e vrasjes së 39-vjeçarit Briken Sanaj, të ndodhur vetëm pak javë më parë në zonën e Kodrës së Diellit.
Policia shpalli në kërkim 3 persona të dyshuar si të përfshirë në ekzekutim, mes tyre Valmir Kolën, i cili dyshohet si autor i vrasjes së Sanajt. Kola dyshohet se ka vepruar i vetëm në këtë ekzekutim ndërsa për krijimin e kushteve është ndihmuar nga dy shtetas kosovarë.
Konkretisht Kened Antoni, i cili rezulton se ka shitur makinën Benz që u përdor në krim tek Gjelosh Krasniqi, dhe më pas e kanë futur atë në Shqipëri për ta përdorur Vladimir Kola.
Shkak i vrasjes së 39-vjeçarit dyshohet të jetë bërë gjakmarrja, zanafilla e të cilës nis prej vitit 2012 në Lezhë, kur familjari i Valmirit është plagosur rëndë nga i vëllai Briken Sanajt./Klan News