Aktualitet DETAJET E REJA: Vrasja e Sinomatajt u planifikua në tetor

DETAJET E REJA: Vrasja e Sinomatajt u planifikua në tetor

Makina tip “BMW” e përdorur nga autorët e vrasjes së 23-vjeçarit, Gëzim Sinomati mbrëmjen e së dielës në Vlorë rezulton e vjedhur në Shkodër më 19 Tetor të vitit 2023.

Kjo e dhënë është përftuar nga grupi hetimor pas verifikimit të numrit te shasisë së makinës, e cila pas ngjarjes u dogj nga autorët në lagjen 24 Maji të qytetit të Vlorës.

Nga aty një tjetër mjet dyshohet se u erdhi në ndihmë vrasësve, për të cilët deri tani nuk ka asnjë gjurmë.

Ndërkohë targat e përdorura kanë rezultuar të dubluara në qytetin e Kamzës.

Mbi bazën e këtyre të dhënave grupi hetimor ka ngritur dyshimet se vrasja me snajper e 23-vjeçarit ka nisur të planifikohet kohë më parë.

Atentatorët, që policia thotë se kanë qenë 3, kanë parë me detaje zonën, me qëllim që të largohen pa u kapur nga policia dhe pa lënë gjurmë që mund të çonin në identifikimin e tyre.

Deri në këtë fazë policia dhe prokuroria konsideron me tepër vlerë për hetimin kamerat e sigurisë, përmes të cilave shpreson të identifikojë autorët./Tv Klan