Një pakujdesi gjatë komunikimeve në telefon e kryer nga ish-polici privat, Fation Xhyliu, ka bërë që i gjithë grupi i dy supergrabitjeve në rrugën e Rinasit të zbulohej nga policia, raporton “Panorama”.
I riu nga Lushnja ishte i pari që u shoqërua në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, për shkak se qelizat e telefonit e lidhnin me vendin ku ndodhi grabitja e 3.2 milionë dollarëve.
Ai rezistoi thuajse 3 ditë, duke mohuar gjithçka para hetuesve, por në fund ai u dorëzua dhe bashkëpunëtorët e tij në dy grabitje u identifikuan.
Duke mos pasur më asnjë alibi të besueshme për të justifikuar prezencën e tij në vendngjarje, ditën kur ndodhi grabitja, 33-vjeçari Fation Xhyliu ka pranuar se ka marrë pjesë në grabitje, duke thënë se nuk ka qëlluar me armë, por thjesht ka qenë në vëzhgim.
“Panorama”, shkruan se më pas, zbardhja e tabulateve të tij telefonike ka provuar lëvizjet e tij dhe të bashkëpunëtorëve, duke zbuluar fillimisht vendndodhjen e të dyshuarve, e më pas identifikimin e tyre.
Pas tri ditësh i shoqëruar në polici, vetëm dje ishpolici privat ka nisur të flasë në një dëshmi që është marrë nga ana e Prokurorisë. Policia e Tiranës tha dje zyrtarisht se Fation Xhyliu ka qenë punonjës i shoqërisë private të sigurisë fizike “Rogat Security”, e cila shoqëronte rreth 3 milionë euro të një banke që u grabitën më 3 dhjetor 2015.
Ndërsa aktualisht ishte i papunë, por edhe pse nuk u arrit të identifikohej si i dyshuar, duke qenë se më parë kishte qenë polic privat, i dinte mirë lëvizjet e ish-kolegëve. Burime të rezervuara nga grupi hetimor thanë dje se janë përdorur metoda speciale për zbulimin e grupit të grabitësve, gjatë së cilave u arrit të siguroheshin edhe prova shkencore.
Burime nga grupi hetimor thanë dje se Fation Xhyliu, pavarësisht se pranon të ketë pasur vetëm rolin e vëzhguesit në grabitjen e një jave më parë, rezulton të jetë një nga organizatorët kryesorë të ngjarjes.
Madje, jo vetëm për rastin e grabitjes 9 shkurtit, por edhe në ngjarjen e mëparshme të ndodhur po në rrugën e Rinasit, më datë 3 dhjetor 2015. Në atë kohë, Xhyliu ka qenë polic privat i shoqërisë “Rogat Security” dhe kishte pozicionin e shoqëruesit në blindin që transportonte paratë drejt aeroportit “Nënë Tereza”.
Një natë para se të ndodhte kjo grabitje, ai ka marrë vesh që do të bëhej shoqërimi i një vlere monetare në Rinas dhe ka marrë leje në kompani, duke u thënë se kishte disa probleme familjarë dhe donte ta bënte pushim.
Ndonëse në atë kohë nuk u provua në asnjë moment se Xhyliu kishte bërë pushim atë ditë pikërisht për të kryer grabitjen, tashmë gjatë hetimeve për grabitjen e dytë u zbulua që ishte organizator i asaj ngjarjeje.